Çfarë po ndodh rreth nesh

Lamtumirë Besa Imami!

22 Shtator 2014

Lamtumirë Besa Imami!

Aktorja Besa Imami ka ndërruar jetë, pas një vuajtjeje për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Aktorja e një sërë roleve në teatër dhe kinema, mori vetëm pak ditë më parë titullin "Nderi i Skenës Shqiptare" në Gjakovë, vendlindjen e saj.

Ngushëllojnë Edi Rama dhe Bujar Nishani

Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktores Besa Imami kanë dhënë sot Kreu i shtetit, Bujar Nishani dhe kryeministri, Edi Rama.

Presidenti ka ngushëlluar, mes një mesazhi të publikuar mëngjesin e sotëm familjarët e aktores së shquar të skenës dhe ekranit shqiptar Besa Imami.

“Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, aktores së madhe Besa Imami. Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike. Do kujtohet prej artdashësve të shumtë për interpretimin e përsosur të personazheve historike të gruas shqiptare si ‘Donika e Skënderbeut’, por edhe roleve të shumtë me përmbajtje social-psikologjike, mitologjike, patriotike, emancipuese, etj., të cilët jepnin kurdoherë mesazhe kulturë formuese.  Ajo i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi. Por jo vetëm kaq. Së bashku me Violeta Manushin, Drita Pelinkun, Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe shumë gra të tjera shqiptare i kanë hapur rrugë me kurajë një emancipimi të vrullshëm shoqëror që përjetoi gruaja shqiptare.  Besa Imami e donte shumë kombin e saj. E ardhur nga Kosova në Shqipëri me familjen e saj i fali dashurisë së atdheut, jo vetëm artin e saj, por edhe zemrën e saj. Dhe këtë dashuri e ka shprehur jo vetëm nëpërmjet roleve të shumtë në skenë, por përditshmërisht në çdo bisedë të lirë.  Duke ndarë këto momente të hidhura me ju, të dashurit e saj, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e saj kulturore ne fushën e teatrit, kinematografisë dhe operës shqiptare do të kujtohen dhe mbeten gjallë si një pasuri e përjetshme për të gjithë kombin shqiptar.  U prehtë në paqe shpirti i saj!” 

Kryeministri i vendit, Edi Rama, me anë të një mesazhi në Twitter, është shprehur kështu:
" Besa Imami ishte edhe një nga hijet e larta të kohës së vjetër, kur me Arturin i shijonim byrekun e i dëgjonim kritikat! I lehtë i qoftë dheu!