Social Buzz

Në këtë ditë me shi të kujtoj ty Mami!

14 Qershor 2018

Në këtë ditë me shi të kujtoj ty Mami!

Po bie shi,

E dini ç’mendoj ndonjëherë? Shiu është gjetja brilante e nënës natyrë për t’i mbajtur njerëzit të bashkuar. Si çdo nënë tjetër fundja, që di ta bëjë familjen bashkë dhe të lumtur edhe kur jashtë bie aq shumë shi sa t’i se merr guximin të dalësh. Shiu më kujton mamin, në një ditë si kjo e sotmja do kisha zënë cepin tim të preferur në dhomën e ndenjes, ndërkohë që motra shikonte televizor, babi ndreqte ç’ishte prishur në shtëpi e mami na gatuante biskotat e preferuara. Sa e lumtur isha, edhe pse atëherë s’e kuptoja. Përkundrazi hidhja sytë nxitimthi nga dritarja dhe lutesha që ai dreq shiu të ndalonte.

Nëse shiu dështoi shumë herë të na bashkonte, për të na ndarë ia doli. E kujtoj ende zhurmën e tmerrshme të tij mbi xhamat e dritareve ndërkohë që jepje frymën e fundit. Edhe qielli qante për ty Ma!

Sa i mungon ti kësaj shtëpie, babit, mikeve të tua, gjyshërve… Do hiqja dorë nga gjithçka sot, nga kafet, palestra, shëtitjet, çdo gjë që më gllabëronte kohën e s’më linte gjë për ty. Sot i kam të gjithë këtu, përkrah meje, vetëm ty jo. Mendoja se do të kisha përherë pranë vetes, se edhe nëse një ditë do të shkoje, ajo ditë do të ishte yhyyyy shumë e largët Mamush.

Sikur t’i kisha bërë gjërat ndryshe. Sikur 6 muaj më parë, kur edhe atëherë binte shi të mos më zinte gjumi mbi divan, por të rrija zgjuar dhe të flisja me ty. Të t’i shija sytë, hapur, të dëgjoja zërin tënd të ëmbël e të të prekja. Por vonë, tepër vonë!

Këtë tokë, këto rrugë do t’i lagin ndër vite shumë shira por ti s’do jesh kurrë aty për t’i jetuar. Sa e vështirë qenka jeta Mami. Si ia dilje të mi bëjë gjërat aq të thjeshta? Zot, sa më mungon sot.

Të dua!