Pak ditë më parë NASA bëri me dijeni se në ditët në vazhdim do të publikonte të dhëna shumë të rëndësishme falë robotit “Curiosity”, i cili gjendet që prej vitit 2012 në sipërfaqen e planetit Mars.
Më në fund, të enjten, Agjencia Amerikane e Hapësirës ndau me masën e gjerë një nga zbulimet, që siç ata vetë u shprehën është ndër më emocionuesi i bërë ndonjëherë mbi planetin e kuq.
Curiosity ka arritur të zbulojë materie organike në sipërfaqen e Marsit, një zbulim ky që përforcon akoma më shumë idenë se dikur ky planet ishte i banuar. Megjithatë, skeptikët shprehen se zbulimi s’do të thotë se me patjetër në Mars ka patur jetë, gjithsesi pranojnë faktin se ky zbulim është një arsye më shumë për të vazhduar me punën kërkimore.
“Mundësitë për të gjetur shenja të një jete të dikurshme në Mars sapo na u shtuan.” u shpreh Ashwin Vasavada, shkencëtar i projektit në fjalë.
Materiet organike janë mbetje që krijohen vetëm nga forma jete dhe zbulimi për ekzistencën e tyre në Mars është bërë nga dy grupe të ndryshme shkencëtarësh, që në fund kanë arritur në të njëjtin rezultat.
Tashmë, puna e shkencëtarëve do të bazohet tek përpjekjet për të tërhequr në Tokë mostra të këtyre mbetjeve organike, për t’iu nënshtruar analizave më të detajuara, që do të shpjegonin prejardhjen dhe formën e organizmit që ka lënë pas këto gjurmë.
Shkencëtarët besojnë se miliona vite më parë Marsi ka qenë i populluar dhe këto pretendime i bazojnë te gjurmët e lëna nga lumenjtë që dikur besohet se rridhnin në sipërfaqen e tij.