Ndonëse abuzimi brenda familjes është plagë e hapur dhe shumë e rrezikshme, kur kjo situatë ndodh gjatë kohës që je jashtë vendit tënd, problemi bëhet edhe më i madh.
Në vend të huaj, nga njëra anë jeta e padurueshme me një abuzues dhe nga ana tjetër dilema: Çfarë të bësh? Po sikur të të kthejnë?
Një histori e tillë ka mbërritur në Anabel Facebook. Një vajzë e martuar dhe me një fëmijë të vogël, abuzohet psikologjikisht nga i shoqi.
“Unë jam një vajzë e martuar, kam një fëmijë të vogël. Jëtoj në Itali prej 3 vitesh. Kam patur shumë sherre me partnerin. Mbrëmë, debatuam shumë dhe ai më kërcënoi me vdekje. Më kërcënon se do të më vrasë prindërit, familjen, etj. Unë dua ta denoncoj, por s’di si t’ja bëj. Për të marrë avokat nuk kam mundësi. Për denoncim duhen prova. Ç’duhet të bëjë në këtë rast?”
Siç e lexuat më lart, përpos frikës nga kërcënimet e të shoqit, ajo i trembej të ardhmes.
Por cila është zgjidhja që mund t’i jepet çdokujt që gjendet në një situatë si kjo?
Ndonëse shumica e komentuesëve e këshilluan ta denonconte të shoqin, është e rëndësishme të kujtosh disa gjëra para se të merret vendimi përfundimtar.
1. Kujtoni gjithmonë që jeni ju ai/ajo që vendosni për jetën tuaj. Vendimi që do të merrni është më i miri për ju dhe familjen tuaj.
2. Mund të flisni me një pjesëtar të familjes apo një mik të cilit i besoni. Nuk ka rëndësi nëse jeni larg fizikisht. Kjo do t’ju ndihmojë të çliroheni.
3. Nëse e shihni që ankthi dhe stresi po shtohen çdo ditë e më shumë, para se të ndërmerrni hapin e radhës, konsultohuni me një psikolog. Gjaknxehtësia nuk është kurrë e mirë në një problem si ky.
4. Mos harroni që dokumentat dhe letrat e vlefshme tuajat dhe të fëmijës t’i ruani me kujdes. Bashkë me to dhe numrat e emergjencës. Policisë apo ambulancës.
Të jetosh duke u abuzuar emocionalisht kur je jashtë vendit tënd është eksperiencë e dhimbshme dhe të bën të ndihesh shumë e vetmuar. Por mos nguroni të kërkoni ndihmë! Mësoni si ta menaxhoni çdo lloj vendimi që do të merrni, edhe nëse zgjidhni të qëndroni pranë abuzuesit.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.