Emisioni që do të risjellë Valbona Selimllarin në televizion quhet Ma jep dorën. Pasi mori pjesë në disa juri të njëpasnjëshme, të gjitha në Tv Klan, Valbona duket se do t'i rikthehet një formati që e ka eksploruar më parë.
"Projekti është shumë social, shumë shpirtëror shumë njerëzor . Ideja lindi duke parë fëmijë që janë të talentuar, që nuk mund të shkojnë në shkollat përkatëse. Pse të mos i ndihmojmë, pse të mos u japim atyre një mundësi për të shprehur talentin e tyre sepse në përgjithësi ne nuk i pranojmë të gjithë dhe ky është një gabim shumë i madh. Do të mundohem që me anë të këtij emisioni, t'i bëj pjesë e shoqërisë sonë sepse ata meritojnë si të gjithë ne," tha ajo Në Kurthin e Piter Pan.
Valbona ka moderuar një emision të ngjashëm në ndihmë të familjeve në nevojë thuajse shtatë vite më parë. Quhej Nga e para dhe ndërtonte shtëpi të rrënuara nga e para.
Nuk dihet ende ku do të transmetohet emisioni i Valbonës, por përfliten Ora News dhe Tv Klan.