Albano Bogdo ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report TV. Ndër të tjera, ai ndau me teleshikuesit një ndër periudhat më të vështira të jetës së tij.
“Për rreth 3 vite e gjysmë jam kuruar dhe vazhdoj ende të kurohem, sepse më kap ankthi dhe paniku. Unë i rashë shkurt dhe zgjodha pijen e jetën e shfrenuar. Pija 2 shishe alkool në ditë për afro 1-2 vite. Tani më duket sikur më zënë mallkimet e 300 e 400 njerëzve që kam lënduar.”- ka thënë aktori i humorit.
Gjatë intervistës, Bogdo sqaroi se varësinë nga alkooli e ka mposhtur që prej qershorit të 2016-s, një problem që i solli edhe ndarjen nga e fejuara. Aktori i “Apartamentit 2XL” zbuloi shkakun e problemit - fama. Siç duket e pati të vështirë të mësohej me jetën e re, pas suksesit në spektaklin e humorit.
Momentalisht aktori është ende pjesë e stafit të aktorëve të “Apartamenti 2XL”, ku do të vazhdojë të performojë, sepse gëzon marrëdhënie të mira me kolegët dhe drejtuesin, Turjan Hyskën.
Burimi: Shqiptarja.com