Duam s’duam, fjalori që përdorim në përditshmëri ka ndryshuar rrënjësisht vitet e fundit. Faktorët e mjedisit të jashtëm, gjuha e rrjeteve sociale dhe mania për tu dukur “cool” (ja, krejt padashur e thashë fjalën e parë të huaj, sepse në vend të saj s’po më vinte asgjë tjetër në shqip) dhe shumë faktorë të tjerë, kanë ndikuar që zhargoni ynë i përditshëm të marrë trajtë tjetër.
Shumë herë ia vëmë fajin shqipes dhe ankohemi se nuk e gjejmë dot fjalën që na duhet, por e vërteta është se efekti i globalizimit na ka prekur të gjithëve. Në epokën e Instagram-it, shumica e të rinjve flasin anglisht me njëri-tjetrin. Dhe nëse jo gjatë gjithë kohës, në një fjali të paktën 2-3 fjalë i themi anglisht.
Dhe meqë nisëm duke ia hedhur fajin rrjeteve sociale dhe televizionit, e nisim me çdo fjalë që sot trashëgojmë prej tyre.
Throwback- hashtagu i famshëm që e përdorim kaq shumë, për çdo foto e cila është bërë në të shkuarën. Kuptimi i kësaj fjale është kthimi pas në kohë, retrospektivë, por më fal, kush ka kohë t’i shkruaj gjithë këtë? Asgjë s’mund ta përshkruajë më mirë idenë se fjala ‘throwback’.
Crush- Për të thënë se dikush na pëlqen, e hapim dhe e mbyllim fjalinë vetëm me këtë fjalë. I kemi thënë të gjitha. Sa herë gjatë ditës mund ta dëgjojmë këtë?
Story- Ok, kjo fjalë në fakt do të thotë ‘histori’, por kur ne e përdorim nëpër kafene apo kudoqofshim, mendja na shkon tek Instagram-i dhe Instastory i famshëm. Sepse sot, asgjë s’bën sens pa parashtesën ‘Insta’.
Fotoshop- përpunimi i një fotoje. Me shumë gjasa kjo është fjala që duam më shumë kur e ndajmë mendjen për të bërë thashetheme. Kush ka nerva t’i thotë shoqes se ajo e ka përpunuar foton, kur thjesht themi fotoshop dhe kaq!
Friends- sa e largët duket dita kur kjo fjalë përkthehej thjesht si shokë/ miq! E përdorim kaq shumë këtë fjalë, por gjithmonë për të treguar ndonjë të re nga bota virtuale.
Followers- ndjekës. Sa fuqi ka kjo fjalë. Sot, vlerat e tua i përcaktojnë pikërisht këta, ‘follower-sat’. Ata që të ndjekin dhe dinë gjithçka për ty. Sado të përpiqemi t’i qëndrojmë besnikë shqipe, fjala ndjekës na vret paksa veshin, ndërsa me ‘folloëer’ çdo gjë bën sens.
Thug life: kjo fjalë është përdorur nga djemtë e këqinj për të treguar vështirësitë që kanë kaluar në jetën e rrugës. Po ç’rëndësi ka nëse gangsterrat 15-vjeçare e dinë apo jo këtë. Jeta është treguar kaq e ashpër me ta, sa vetëm duke përdorur këtë fjalë, mund t’ua qajnë hallin.
Twerk- lloj provokues kërcimi, ku kryesisht në qendër të vëmendjes janë lëvizjet e shpejta të të pasmeve. Ishin rrjetet sociale që e bënë këtë fjalë kaq shumë të përdorshme. Në fakt, si mund ta themi tjetër në shqip?
Laughing out loud (LOL) – Të qeshësh me të madhe.Nëse do të bënim ndonjë studim ,me shumë gjasa kjo është fjala (nëse mund të quhet e tillë) më e përdorshme në chat-et e mesazheve. Ka nga ata që në fakt s’ja kanë idenë se ç’kuptim ka kjo, por kjo nuk është më e keqja. Pjesa kulminante është kur ai që ke në tavolinë, pas një shakaje, përton të qesh dhe thotë thjesht (lol). Zhdukuni me të katërta!!!!
Shopping- pazar. Kaq shumë e përdorim këtë fjalë sa me shumë shanse ka ndikuar edhe në konceptin tonë. Kur themi shopping, kuptohet menjëherë që do të dalim për rroba apo të mira të tjera luksi. Nëse në vend të saj themi pazar, na kujtohet gjyshja me torbat e ditës. Është e njëjta gjë, fiksojeni!
Like- me pëlqy. Këtë fjalë nuk ta zëvendëson më asgjë tjetër. Mund edhe të rehabilitohemi për të mos e përdorur më kurrë, por përpjekjet do të jetë të kota.
Showbizz- shkurtim i fjalës ‘show business’. Kur duam të tregojmë çdo gjë ndodh me botën e VIP-ve apo njerëzve të tjerë me influencë edhe shqiptarët prej kohësh përdorin këtë fjalë. Në fakt si mund ta themi ndryshe?
Scoop- publikim i një skandali apo lajmi para gjithë të tjerëve.
Pavarësisht kategorive apo përdorimit, e gjithë kjo dyndje dhe dashuri e madhe për fjalët anglisht, burimin fillestar e ka patur nga media. Ndaloni për një sekondë dhe mendoni sa ka ndryshuar gjuha e vajzave kur flasin për grimin, flokët ose tendencat e modës?
Për të thënë stilim flokësh, tani themi ‘hairstyle’ e ndërsa fjalën grim e këni zëvendësuar një herë e përgjithmonë me make up. Ah meqë ra fjala tek make up-i duhet të dilte Kim Kardashian për të na treguar se fytyra mund të na ndriçojë falë një çudibërësi të quajtur Highlighter, apo buzëkuqit që i themi lipstick. Po pse në fakt, buzëkuq tingëllon kaq bukur. Bashkohuni me mua, sa herë në ditë ju ndodh t’ju vrasë veshin këto fjalë?
E nëse duam të tregojmë se ç’na pëlqen nga tendencat e fundit të modës, që më shumë i themi ‘fashion’, përdorim fjalët universale. Për të përshkruar një palë taka të larta, me majë dhe elegante themi thjesht stiletto dhe u morëm vesh. E nëse deri dje, bluzeve të shkurtra me bark jashtë i referoheshim kështu si më lart, tani i themi thjesht crop top. Ç’ndryshim!
Choker- varësja e famshme e ngjitur pas qafe. Si mund ta quanim ndryshe atë? Për muaj me radhë vajzat flisnin vetëm për të.
As kur flasim për ushqimin, nuk i shpëtojmë dot këtij fenomeni që sa vjen, bëhet edhe më i ndjeshëm.
Finger food- fjalë për fjalë përkthehet ushqim gishtash, por ideja qendron tek ushqimi i shpejtë që mund të konsumohet në dorë dhe sigurisht shumë i pashëndetshëm. Pse t’i themi gjithë këto kur themi thjesht finger food?
Brunch- ose ndryshe quhet mëngjesi i vonë. Amerikanët këtë fjalë e kanë krijuar për të emërtuar vaktin e ndërmjetëm mes mëngjesit dhe drekës, kur zgjohesh nga një gjumë shumë po shumë i thellë. Vitet e fundit, kjo fjalë ka filluar të përdoret në masë nga të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk kanë gjetur ende një tjetër sinonim për të.
Smothie- lëng frutash kremoz. U bënë ca vite tanimë që nga dita kur smothie u bë trend. Kujt i duhet se çfarë ishte, ç’po kombinohej brenda një gote. Ty dhe mund të ta shpifte ai kastraveci i përzierë me banane, por ti pive smothie dhe je njëri prej tyre tani!
Milkshake- qumësht i tundur, kombinuar me shurup frutash dhe shije të ndryshme. Njësoj si smothie edhe këtë fjalë e duam kaq shumë.
Cocktail- Aq shumë e përdorim sa kemi harruar si mund t’i themi ndryshe.
Po ai, fjalori më i ëmbël në botë, ai i dashurisë sa shumë ka ndryshuar. Kush thotë më zemër, kur mund të themi ‘baby, sweet, bae, love’ e gjithçka që falë zotit Instagram-i na ka mësuar. Lëre pastuaj kur duam t’i tregojmë botës ç’bën ai për ne.
Me një ‘couple goals’ i kemi thënë të gjitha. Edhe nëse nuk e dimë ç’do të thotë (arritje në çift) sapo përmendet si fjalë, e kemi parasysh idenë. Flitet për atë çiftin shumë të lumtur!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.