Femije

Psikologët ngrenë alarmin: Fëmijët ndihen të vetmuar

14 Prill 2017

Psikologët ngrenë alarmin: Fëmijët ndihen të vetmuar

Fëmijët nga mosha 6 vjeç e kanë gjithnjë e më të fortë ndjenjën e izolimit dhe hasin vështirësi në përshtatjen me shoqërinë e ditëve të sotme. Vetëm vitin e kaluar, shoqata britanike për të drejtat e fëmijëve NSPCC ka ngritur alarmin, me 4063 seanca konsultimi me fëmijë, praktikisht 11 fëmijë në ditë që kanë kërkuar ndihmën e psikologëve. Rreth 73% e tyre ishin vajza që ndiheshin të vetmuara.

Kjo ështe hera e parë që kjo shoqatë e ngre si problem vetminë, pasi psikologët e kishin dëgjuar vazhdimisht nga fëmijët dhe adoleshentët. Ata rrëfenin se ndiheshin ‘të padukshëm, të keqkuptuar dhe personat e afërt nuk i kuptonin si ndiheshin’. Një nga shkaktarët e këtij fenomeni janë rrjetet sociale, prandaj të rinjtë shtyhen për të bërë krahasime jorealiste mes imazheve që shohin në rrjete sociale dhe vetes. Edhe vështirësia në përshtatje kur transferohen në një shtëpi ose shkollë të re ishte një tjetër arsye e vetmisë së tyre.

Si pasojë e gjendjes së rënduar emocionale të rinjtë mbyllen në dhomë, ose në rastet më ekstreme lëndojnë veten dhe konsiderojnë vetëvrasjen. Ata hezitojnë të flasin me prindërit për këto probleme, sepse shqetësohen nga ajo që mund të mendojnë.

“Kam menduar të vras veten, sepse mendoj që nuk ka kuptim të jem në këtë botë. Ndihem sikur askujt nuk i interesoj dhe jam vetëm gjatë gjithë kohës.”-është shprehur një 15-vjeçare që ka kërkuar ndihmë për gjendjen e saj. “Kam provuar të flas me njerëz rreth stresit dhe ankthit që ndiej, por ata nuk shqetësohen. Është sikur nuk kam asnjë vlerë. Kurdoherë që krahasoj veten me njerëz të tjerë, kuptoj sa për të ardhur keq jam. Do doja të isha ndryshe.”

Peter Wanless, drejtues i NSPCC ka shpjeguar se janë të shumta arsyet që i bëjnë të rinjtë të ndihen të vetmuar.

“Është e qartë që bota po bëhet një vend kompleks për të jetuar për fëmijët dhe adoleshentët, që hasin kaq shumë presion çdo ditë për të plotësuar pritshmëritë e shoqërië për ‘një jetë të suksesshme’: notat, marrëdhëniet, pamja e jashtme. Prandaj është thelbësore që fëmijët dhe adoleshentët të kenë rreth vetes prindërit në veçanti, të cilëve mund t’i hapen për ndjesitë e tyre.”

Burimi: The Independent