E vendosur dhe shumë gati për tregun amerikan, puna e Dafina Zeqirit më në fund po i jep frytet e saj. Këngëtarja shqiptare publikoi dje albumin e ri dhe këngën debutuese “Four Seasons”, që duket se tërhoqën menjëherë vëmendjen e mediave amerikane; mes tyre edhe revista 'The Fader'.
“Në debutimin e saj në tregun amerikan, ylli në rritje sjell një këngë plot ndjenja.” E nis kështu 'The Fader' shkrimin dedikuar Zeqirit.
“Dafina Zeqiri tashmë ka arritur të dominojë në listat e muzikës pop dhe R&B në vende si Shqipëria dhe Suedia. Pas bashkëpunimit me producentin e talentuar Rick Stee, këngëtarja arriti të publikonte këngën e parë për tregun amerikan, ‘Four Seasons’. Zeqiri kombinon elementët e përzierë me qiej të errët ndërkohë që flet për një partner të largët, rol i cili luhet nga reperi French Montana.”, shkruan revista njujorkeze.
Vetë Dafina ka folur për albumin që e ka konsideruar një fushë të re ku i jepet mundësia të shprehë shumë nëpërmjet artit të saj.
“Tani ndihem gati të krijoj muzikën që kam dashur gjithmonë të bëj. Në momentin kur dëgjova pjesën e parë të muzikës, menjëherë më erdhi në mendje një marrëdhënie që ndryshon si stinët”, tregon ajo.
Midis të gjitha publikimeve premierë të javës, revista e njohur 'The Fader' ka zgjedhur të intervistojë pikërisht Dafinën si një prurje të re në tregun amerikan. Ky është padyshim një ogur i mirë për karrierën e re të shqiptares. Në kopertinat e "The Fader" kanë qenë emrat më të rëndësishëm të muzikës si: Rihanna, Nicki Minaj, Eminem etj.