
Një shkrim i botuar sot nga Anabel.al, ku flitej për ditëlindjen e djalit të ish-guvernatorit të Bankës Shqiptare, Ardian Fullani, është pritur me zemërim nga vetë protagonisti i ngjarjes, i cili në një postim të tijin në Instagram, u shpreh me fyerje të rënda ndaj revistës dhe ndaj administratores së revistës, Dalina Buzi.

Për “Anabel.al” nuk është hera e parë që ne përmendim emrin e Erikut në shkrimet tona, ashtu siç nuk është hera e parë për asnjë media që të përmendet emri i tij, që kur djali i guvernatorit u fotografua duke fshirë ballin me një 500 eurosh.
Madje “Anabel.al”, një media që nuk mbulon politikë, vendosi të mos e botojë atë lajm atëherë, pasi mendoi që pavarësisht se i ati ishte figurë publike, jeta e djalit ishte private.
Këtë politikë, Anabel.al ka ndjekur me çdo pjesëtar familjeje njerëzish publikë që nuk kanë kërkuar të bëhen vetë publikë nëpërmjet rrjeteve sociale apo fotografive/daljeve publike me të afërmit/prindërit e njohur.
Por me kalimin e kohës, Eriku vendosi vetë të bëhet publik. Ose të paktën kështu e perceptuam ne, me aq sa kuptojmë nga rrjetet sociale. Një njeri që ka mbi 36,000 ndjekës në instagram, që del në videot e Noizy-t dhe kërkon të futet në tregun e muzikës, nëse nuk kërkon vëmendje, nuk e di se çfarë tjetër kërkon.
Herë pas here edhe Anabel.al shkruajti lajme (më saktë 4) mbi të, pa kurrfarë tendence, duke nisur nga përshendetje fundviti me familjen, deri tek fakti që ai po kërkonte të hynte në muzikë apo shoqërinë e tij me Noizyn.
Çdo lajm u bë share në Facebook dhe si çdo lajm tjetër, edhe ato u shoqëruan me një lumë komentesh, që shpesh qëllonin negative. Por Eriku nuk reagoi kurrë. Përkundrazi, në Instagram-i i tij vazhdonin të shtoheshin ndjekësit dhe ai vazhdonte të postonte foto me Ferrari, orë të shtrenjta e citime repistësh, shoqëruar me komente nga qindra ndjekës që ai ndoshta s’ka për t’i takuar kurrë në jetë.
Edhe ditëlindja e tij, të cilën ai e bëri publike në Instagram dhe Snapchat, ishte në vazhdën e lajmeve të tjera.
Megjithatë Eriku ka të drejtë të nxehet, sepse komentet ndaj tij në Facebook ishin shumë të ashpra. Por nuk ka të drejtë të fajësojë Anabel.al se përse njerëzit nuk e duan. Ai mund të jetë një çun i mrekullueshëm në jetën private, por kur bëhet fjalë për publikun, ti merr atë çfarë u jep.
Dhe ajo çfarë ka dhënë ky djalë që nga fotoja e tij 500 euroshe menjëherë pas skandalit në Bankën ku babai i tij ishte guvernator, kanë qënë vetëm pjesë të një stili jetese #thuglife ku s’ndodh asgjë, vetëm reklamohen rripa Hermes, makina të shtrenjta, orë edhe puro.
Të gjitha këto reklamohen për adoloshentë, kryesisht fansa të Noizy-t, shumica e prindërve të të cilëve, sa kushton një rrip, nuk marrin në vit.
Por Eriku të bëjë ç’të dojë. Ky nuk është problemi ynë. Problemi i Anabel.al qëndron në faktin që media jonë, vendosi të merret me të.
Ndaj ne duam t’i kërkojmë falje Erikut sot. Sepse në vrullin për të gjetur personazhe të rinj për informacione nga “show business”, ndodh që ngecim edhe tek njerëz që nuk kanë asnjë lloj impakti as në show-n dhe as në business-in shqiptar. Të paktën jo për momentin .
I dashur Erik, nuk e di si na ke shpëtuar e të kemi dhënë vëmendje. Ndihemi tmerrësisht keq. Të paktën babai dhe mamaja jote kanë një CV profesionale dhe e kanë vënë emrin me punë, por jeta jote, ke të drejtë, nuk ka përse t’i interesojë askujt. Madje siç thua vetë në shfryrjen instagrameske, jo shumë postime larg fotove të tua me makina luksoze e orë të shtrenjta, “Anabel duhet të merret me popullin që ka halle”.
Nuk ka asgjë në atë jetë që ti publikon që është shembull për të rinjtë që ne duam të informojmë, sepse ne nuk duam të rinj që të mburren se janë #thugs, kur #thug (pavarësisht sa është zbukuruar nga wigg-at e Bllokut), në fakt kuptimin fillestar e ka “kriminel” dhe “halabak rrugësh”.
Ti nuk na duhesh as si artist, sepse nuk ke asnjë prodhim artistik me influencë në muzikën dhe artin shqiptar; nuk na duhesh as si intelektual sepse ato që publikon nuk kanë asnjë vlerë përmbajtësore intelektuale (madje as gramatikore) për kombin e shoqërinë, nuk na duhesh as për rubrikat “Meshkuj interesantë’ se meshkujt që ne duam të promovojmë për lexueset femra, nuk i shajnë femrat “k*rva” portaleve.
Ti je thjesht ti dhe rri ashtu siç je, se ne nuk na intereson. Jemi ne që e bëmë keq punën tonë këtë rradhë. Të premtojmë që s’do të shkruajmë më për ty dhe me këtë rast dhe meqë jemi në prag të festave të fundvitit, i premtojmë vetes që do të shkruajmë më pak për ata që s’janë dhe që fatkeqësisht i krijojmë ne.