
Zanfina Ismajli e ka shprehur hapur dhimbjen për humbjen e nënës, Mona Ismaili. Nëna e motrave Ismaili u nda nga jeta në prill të këtij viti për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Humbja e saj u përjetua shumë nga bijat, por më e vogla, Zanfina, është ajo që më shumë e shfaq në rrjetet sociale, po ashtu këndoi një këngë për ta kujtuar.
Shtatë muaj pas ngjarjes së hidhur, ajo e kujton sërish me një postim në Instagram, ku shprehet se këtë kohë e ka përjetuar si mijëra vjet, plot me mall për njeriun që i qëndroi afër si nënë, shoqe, e pranishme në çdo hap të jetës së vajzave të saj.
“7 muaj. Më duken si 7 mijë vjet. Më mungon çdo sekondë, më shumë se çdo gjë tjetër në jetë.”
Mona Ismaili, siç e tregojnë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, ishte përveçse njeriu më i afërt për të bijat, edhe një menaxhere e kujdesshme, që i mbrojti nga vështirësitë e botës së artit.