Javën që lamë pas, tri gra rrëfyen në “The Dalina Show” plagët e padukshme që i kanë shoqëruar për vite. Rrëfimet e tyre ishin të vërteta dhe emocionalisht rrënuese – por mbi të gjitha, ishin të nevojshme. Në këtë pjesë të dytë, këto gra flasin më thellë për traumën, pasojat dhe përpjekjet për të ecur përpara.
Zana – Vetëvrasja e babait që e përndjek edhe sot
Zana, e cila në episodin e kaluar ndau historinë e vetëvrasjes së babait kur ajo ishte 16 vjeç, kthehet këtë javë për të folur për ndikimin që kjo tragjedi pati tek i vëllai.
“Vëllai jeton jashtë Kosovës tani. S’ka bërë kurrë terapi, s’ka folur asnjëherë me një profesionist, por mendoj shumë që ka nevojë. I duhet urgjentisht trajtim dhe të flasë me dikë,” tha ajo.
Ngjarja që ndodhi para syve të tij e ka ndjekur gjatë.
“Sot kam shumë frikë mos ndonjëri nga ne do shkojë drejt një akti të tillë. Për vëllain kam më shumë frikë, sepse e ka gjithmonë aty, para syve.”
Faji është një ndjesi që s’e lë të qetë as sot:
“Si familje jemi ndjerë në faj – si nuk e kuptuam dhimbjen e babit? Si ka mundësi që nuk ishim atje që ta ndihmonim, t’i flisnim? Edhe sot kam këtë ndjenjë faji.”
Ajo po lufton mes arsyes dhe ndjenjave:
“Një anë më egoiste thotë: po si nuk u tregua më i fortë? Sot nuk imagjinoj ta lë vetëm vajzën time... Por jo çdo tru e proceson njësoj dhimbjen. Nuk mund ta gjykosh.”
E ka kuptuar që dashuria për familjen nuk është gjithmonë më e madhe se dhimbja personale:
“Mendoj që dua ta lë anash gjykimin dhe të marr parasysh dhimbjen e tij, sepse ajo paska qenë më e fortë se dashuria e tij për ne. S’është se s’na ka dashur, por si paska qenë duke kaluar një dhimbje kaq të madhe.”
Në fund, Zana na jep një mesazh që vlen për çdo shpirt të thyer:
“Një gjë të kesh parasysh: t'i falësh. Nuk mundemi t’i gjykojmë. Falini të tjerët dhe falni edhe veten, në radhë të parë.”
Eva Rusi - Përdhunimi i vajzës që i la trauma të thella
Eva, një nënë e tre fëmijëve, rrëfen kapitullin më të errët të jetës së saj: momentin kur vajza e saj e madhe, vetëm 17 vjeç, u përdhunua në një diskotekë gjatë pushimeve verore në vitin 2021.
“Kur u kthye, më tha që ishte ndarë me të fejuarin sepse e kishte ‘tradhtuar’. Ishte shumë ndryshe. Më tha që donte të takonte ish-të dashurin për t’u sqaruar, dhe unë i thashë ‘ok’. Pak orë më vonë më morën nga spitali. Nuk donte që të shkoja unë. S’fjeta tërë natën.”
Për herë të parë Eva ndjeu një dhimbje që nuk kishte përmasë:
“Kur e mori ambulanca, pas dy orësh na thanë që ishte gjallë. Ishte si mrekulli. Doja që të vdisja dhe unë. Aq e madhe ishte dhimbja.”
Vajza u diagnostikua me çrregullim të personalitetit borderline. U shtrua disa herë në psikiatri. Më në fund, u vendos në një komunitet rehabilitimi.
“Aty filloi transformimi. Nga ilaçet nisi të ndryshonte, por edhe emocioni i saj doli më në pah. Vetëm një vit më vonë vendosi të denonconte abuzuesin. Dhe megjithatë, pati një tjetër tentativë vetëvrasjeje.”
Eva nisi edhe vetë terapi.
“Isha shumë e zemëruar me jetën. Gjuajta murin sa më dhembën duart. Por jeta më dha një partner të ri shumë të mirë. Kam një vit e gjysmë me të. Ai dhe dy shoqet e mia më kanë ndihmuar shumë.”
Ky është zëri i një nëne që s’u dorëzua, edhe kur nuk dinte ku të mbështetej më. Një nënë që kuptoi se për të shpëtuar fëmijën, duhej të shpëtonte edhe veten.
Alda – Abuzimet seksuale të babai që i vodhën fëmijërinë
Alda rrëfen një nga historitë më tronditëse: ngacmimi seksual nga babai i saj, që nisi kur ajo ishte vetëm 10 vjeç.
“Në fillim mendoja se më donte. Pastaj e kuptova. Fillova të mbyllesha. Në moshën 14 vjeç ia tregova një shoqeje, por si histori të dikujt tjetër – dhe ajo s’më besoi.”
Babai ishte përbindëshi i shtëpisë.
“Dinte vetëm të na dhunonte, të na kërcënonte me thikë, të na ngacmonte seksualisht. Ishte një tmerr i përditshëm. Mami e dinte, por s’kishte fuqi të reagonte. E dhunonte dhe atë.”
E fejuan në moshën 16-vjeçare, mendonte se do të çlirohej, por asgjë s’ndryshoi.
“Edhe kur e la alkoolin, s’e la abuzimin. E kuptova që është psikopat. Edhe sot, i hap telefonin vetëm që të mos dhunojë mamin.”
Edhe pse është nënë, bashkëshorti i saj nuk e di të vërtetën.
“Kam frikë nga reagimi. Dhe tani më duket vonë për t’ia thënë. Kur ika nga babai, shkova tek vjehrrit dhe u ktheva në një shërbëtore. Fillova të urreja burrat, të kisha frikë nga burri im, nga vjehrri. Punova në fasoneri, qaja përditë.”
Pastaj ndodhi kthesa.
“Një ditë, vëllai më uli në kafe dhe më tha: ‘E di çfarë babai kemi. Mjafton që ti të mos qash më. Ta rris unë vajzën.’ Aty ndryshoi gjithçka.”
Tani, Alda është më e fortë. Por dhimbja s’ka ikur.
“Vetëm babait s’i bëj dot ballë. E kam shumë frikë. Dëshira më e madhe është që të zhduket nga kjo botë.”
Episodi i plotë i "The Dalina Show":