
Skena që mblodhi më të mirën e shqiptarëve për të nderuar shenjtërimin e një tjetër shqiptareje që bota e quajti simbol i mirësisë, zbuloi dhe një figurë pak të njohur më parë. Midis artistëve të mëdhenj si Ermonela Jaho, Genc Tukiçi, Shkëlzen Doli, që interpretuan në koncertin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ishte dhe tenori Rame Lahaj. Nëse shumë pak prej nesh e njohin Lahaj, kjo nuk lidhet me aftësitë e tij, por me faktin që debutimi i tij i parë në një skenë botërore ishte vetëm në vitin 2010.
I lindur në Istog të Kosovës në vitin 1983, Rame është shembulli kryesor i shpërblimit që vjen nëse vendos të ndjekësh pasionin tënd. Ndonëse fillimisht studioi në Kosovë në shkenca kompjuterike, Rame arriti të kuptonte që nuk ishte kjo ajo çfarë donte të bënte. Kështu që vendosi të ndiqte muzikën dhe të studionte në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe u diplomua si studenti më i mirë në vitin 2008. Direkt pas diplomimit, Rame u punësua si drejtori artistik i RTK-së dhe i’u deshën 2 vjet që në vitin 2010 të interpretonte në një skenë ndërkombëtare. Roli i tij si Alfredo në veprën “La Traviata” i dha tenorit shqiptar një sukses të mënjëhershëm në Gjermani, ku fitoi dy çmime të rëndësishme ndërkombëtare.
Pas këtij debutimi të tij të parë, Lahaj vazhdoi të pushonte një nga një të gjitha skenat europiane. Ai interpretoi në rolin e Macduff-it në veprën “Macbeth”, më pas vazhdoi me Rodolfon në “La Boheme”, duke u shfaqur kështu në teatrot në Francë, Spanjë, Itali, Australi, Hungari, Poloni, Angli etj. Rame është quajtur nga shtypi gjerman si “zbulimi më i mirë i operës gjermane”. Ai ka fituar disa çmime si për shembull: “Riçardo Zandonai”dhe “Ritorna Vincitore” si dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Gustav Kuhn apo Evelino Pidò.
Në një intervistë të vitit 2014, Rame ka thënë se rruga e tij drejt suksesit ishte jo dhe aq e vështirë më së shumti për shkak të mbështetjes që ka marrë nga artistët e tjerë shqiptarë. Këtu ai përmend tenorin e mirënjohur Saimir Pirgu apo fotografin Fadil Berisha. E ndonëse tenori nga Kosova ende nuk gëzon famën e artistit Saimir Pirgu Apo Ermonela Jahos, arritjet e tij të deritanishme tregojnë se ai është në një rrugë të sigurt drejt suksesit ndërkombëtar.