
Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar zyrtarisht se Virusi Zika është një ‘Urgjencë e shkallës ndërkombëtare për shëndetin publik’. Mjekët nga Organizatat e Shëndetit në të gjithë botën e kanë shprehur prej kohësh shqetësimin e tyre, e tani duket se gjithçka po merr përmasa më të mëdha.
OBSH sqaroi se gjendja e jashtëzakonshme vjen si pasojë e shpejtësisë gjithnjë në rritje të përhapjes së virusit, që shpërndahet nga mushkonjat, me pasoja alarmante tek fëmijët e lindur me mikrocefali. (foto 2) Rastet e foshnjeve të lindura me përmasa shumë të vogla të kokës në Brazil dhe Polinezi janë shtuar ndjeshëm, së bashku me rastet e Sindromës Guillame-Barre, e cila mund të çojë në paralizë.
Ndonëse ende nuk është përmbyllur testimi i lidhjes mes Zika-s dhe këtyre anormalive, ekspertët e OBSH-së kanë rënë në një mendje se gjasat që këto çrregullime të burojnë nga Virusi Zika, janë tepër të mëdha. Sipas tyre, virusi ka një shpërndarje të gjerë, në vende me popullsi të madhe ku mungojnë vaksinat dhe kushtet për diagnostikimin e duhur.
Javën e fundit të janarit, u raportua një përhapje më e shpejtë se kurrë e virusit në kontinentin amerikan. Është parashikuar se brenda një viti, virusi mund të infektojë 3-4 milionë njerëz. E ndërsa 28 shtete janë tashmë pjesë e hartës së shpërndarjes së virusit, mjekët druhen se ai mund të kalojë kufinjtë, pasi ende mungojnë mekanizmat e izolimit të tij në vendet e prekura.
Burimi: CNN/ Përshtati: Genta Hodo