Anabel Dossier

Nëse ke qarë për vdekjen e Enver Hoxhës, është OK

20 Janar 2016

Nëse ke qarë për vdekjen e Enver Hoxhës, është OK

Pas rënies së komunizmit, një pjesë e mirë e atyre që u deklaruan si ithtarë të demokracisë, kërkuan të hidhnin pas krahëve gjithçka që i lidhte me atë sistem, apo me vetë udhëheqësin e atij shteti. Janë mohuar aq shumë gjëra të atij sistemi; botëkuptime, objekte, ideale, zakone të përditshme, besime; sa ndonjëherë duket e çuditshme kur mendon se janë po të njejtët njerëz që kanë jetuar atë kohë, duke marrë pjesë në paradat e duke studiuar lëndën e Marksizëm-Leninizmit.

Dhe janë po të njejtët njerëz, që kanë vajtuar vdekjen e diktatorit, në një ceremoni madhështore në qendër të Tiranës. 

Shqiptarët nuk kanë vajtuar Enver hoxhën, por idealin e tij

Disa e kanë shpjeguar këtë vajtim si një sjellje tipike të ‘Sindromës së Stokholmit’, sipas së cilës ‘viktimat dashurohen me rrëmbyesin’. Por së fundmi gazetari Christian Sager, ka risjellë në kujtesë një tjetër teori, që shpjegon përse njerëzit vajtojnë vdekjen e të famshmëve.

‘Ndërveprimi parasocial’ është një term që shpjegon ndjenjat e dashamirësisë që ndjejnë njerëzit për të famshmit, të cilët kurrë nuk i kanë takuar. Psikologët Donald Horton dhe Richard Wohl shpjeguan se kjo lloj marrëdhënieje – që teorikisht nuk është marrëdhënie – është shumë më intensive, duke qenë e njëanshme. Në fakt, është pikërisht fakti që ne i njohim njerëzit e famshëm pa na njohur ata ne, ajo që e shpjegon adhurimin e madh që kemi ndaj tyre. Duke mos i takuar kurrë së afërmi, shmangen luhatjet që kemi në marrëdhëniet e dyanshme me miqtë apo të afërmit, dhe i përfytyrojmë këta artistë, shkencëtarë apo sportistë, në një trajtë të idealizuar.

Enver Hoxha ishte pjesë e jetës së përditshme të çdo shqiptari

Pra, ushqejmë ndaj idhujve tanë një dashuri të pakusht; përfytyroni se çfarë mund të ndjenin shqiptarët për Enver Hoxhën, kur ai ishte bërë pashmangshmërisht pjesë e jetës së tyre, me këngët që i këndoheshin atij, me portretin e emrin e tij në librat shkollorë, me zërin e tij në televizion e radio…

E donin apo jo, vdekja e tij ishte shkulja e një prej shtyllave të përditshmërisë së çdo shqiptari. Dashuri e imponuar apo adhurim Stokholmi, për shumë njerëz ishte shumë më tepër sesa një idhull tek i cili gjen vetveten sepse të duket se i ngjan. Shumë e shihnin si një ishull, një shpëtimtar – me të në krye, Partia kishte shpëtuar vendin nga zaptuesit e huaj; atij ‘nuk i prishej gjiza’ për asnjë ‘popull armik’, sepse Partia e kishte mbrojtur dhe e mbronte popullin nga ‘armiku sovietik’, ‘armiku kinez’ apo ‘armiku jugosllav’. Këto besime i ushqeheshin vetëdijes apo pavetëdijes së çdo shqiptari.

Të gjithë popujt kanë idhujt e tyre

Enver Hoxha është simboli më grotesk i një idhulli për popullin shqiptar, por e sëmurë apo jo, dashuria e pashpjegueshme për idhujt është një sindromë e çdo populli.

Më 10 janar 2016 ndahet nga jeta David Bowie. Duke shkuar kundra gjithë atyre që janë përmendur më sipër, preferoi të digjte trupin e tij pa ndonjë ceremoni (lexo këtu), por bota e gjeti mënyrën për ta vajtuar. Bowie theu rekorde me këngët e albumit të fundit ‘Black Star’ (lexo këtu) dhe po shënon shitje të papara.

Alan Rickman ndërroi jetë më 14 janar, e më pas u shpall si ‘zëri më i bukur në botë’.

Marilyn Monroe, Freddie Mercury, Lady Diana, e shumë të tjerë, kanë pasur funeralet më madhështore, (shfleto galerinë) me mijëra njerëz që mbushën sheshet në nder të tyre. Ashtu si edhe një prej udhëheqësve historikë të SH.B.A-së, John Kennedy. Ashtu si diktatori komunist, Enver Hoxha: