
Ka shumë personazhe që i kemi njohur nga “BBVA” dhe i kemi harruar, por kur bëhet fjalë për Heidin, thjesht nuk është rasti. Njerëzit e kthejnë herë pas here në vëmendje dhe rishtazi, dhjetëra komente kanë vërshuar në postimin e “Goca & Gra”, ndaj s’do çuditemi nëse Heidin s’e ka lënë rehat lemza.
Në llogarinë zyrtare të emisionit në Instagram, është publikuar një teaser, ku në mbishkrim shtrohet pyetja se cilat do të jenë gocat dhe gratë në panel. Njerëzit nuk kanë hezituar aspak të përmendin emrin e Heidit, duke argumentuar se ajo ka kulturë, është e artikuluar dhe e përshtatshme për një program të tillë.
Të tjerë u shprehën se do e shohin veçse nëse merr pjesë Heidi.
Një komentues shprehet se ka dëshirë të shohë emisione me debate konstruktive, larg kakofonisë dhe situatave që zhvillohen thjesht për show.
Ndërkohë, përflitet se në karriget e panelisteve do të jenë: Gerta Gixhari, Rozana Radi, Ema Andrea, Anila Basha dhe Sherina Spahiu.
Megjithatë, asgjë s’është konfirmuar, pasi mbase Top Channel i merr në konsideratë komentet e njerëzve.
Rikujtojmë se Heidi ka qenë pjesë e “Goca & Gra”, por u largua nga emisioni, pasi donte të rigjente veten.
“Vijnë ca momente në jetë… Nuk dua të krijohen polemika, është vendim i peshuar dhe për arsye personale. Unë duhet të rigjej veten, listën e prioriteteve të mia dhe të shoh ku do jem.”
E emocionuar, Heidi theksoi se, ndonëse e ka vlerësuar mundësinë dhe ka pasur dyer të hapura, për të rëndësi ka të jetojë për veten, jo vetëm për punën: “Është një moment që, sado jam ndjerë shumë mirë, me dyer të hapura, ndihem shumë mirënjohëse për këtë, në fakt unë punoj për të jetuar, nuk jetoj për punën. Por së ardhmes nuk i dihet asnjëherë,” përfundoi ajo, në puntatën e fundit të pjesëmarrjes së saj në “Goca & Gra”.
Siç nënkuptohet, ajo e la të hapur mundësinë për t’u rikthyer, ndaj ndoshta ndodh këtë sezon.