Në janar të vitit 2016 do të nisë puna për shembjen e stadiumit historik "Qemal Stafa", vend ku do të ndërtohet stadiumi i ri"Arena Kombëtare". Lajmin e konfirmon për gazetën “Shqiptarja.com”, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishi.
Ai thotë se projekti, krahasuar me atë që ka paraqitur FSHF, nuk do të ndryshojë. “Pas 2-3 muajsh, ose më saktë në Janar të vitit të ri 2016 do të nisë që të shembet stadiumi aktual 'Qemal Stafa', mbi rrënojat e të cilit do të ngrihet stadiumi i ri. Aktualisht jemi duke negociuar për koncesionarin. Ndërsa përsa i përket projektit të stadiumit të ri 'Arena Kombëtare' mund të them se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga projekti italian që kemi paraqitur”, shprehet Dervishi.
Shembja e "Qemal Stafa" mund të zgjasë për afro 6 muaj dhe me nisjen e Europianit të Francës mund të nisë ndërtimi i stadiumit të ri.
Në projektin italian të stadiumit të ri të gjitha tribunat do të jenë të mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi, ndërsa 4 mijë metra katrorë do të vihen në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj. Në anën veriore të stadiumit do të ngrihet një kullë e lartë, më një restorant ekskluziv të stadiumit dhe një studio televizive trasmetimi.
Ndërsa kur vjen çështja te financimi i projektit, Dervishi thotë se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të jetë skema, por FSHF dhe qeveria do të japin pjesën më të madhe të shumës.
Burimi: shqiptarja.com
Përshtati: Jolinda Levonja