
Këngëtarja legjendare Connie Francis ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare
Connie Francis, e njohur më së shumti për hitet e saj të viteve ’60 si “Pretty Little Baby” (1962) dhe “Everybody’s Somebody’s Fool” (1961), ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i saj.
“Me zemër të thyer dhe trishtim të thellë ju njoftoj për ndarjen nga jeta të mikes sime të dashur, Connie Francis, mbrëmë,” shkroi menaxheri i saj për të drejtat autoriale dhe të ardhurat nga muzika, Ron Roberts.
“E di që Connie do të donte që fansat e saj të ishin të parët që marrin këtë lajm të trishtë,” shtoi ai.
Kënga “Pretty Little Baby” ka përjetuar një rikthim të fuqishëm vitet e fundit, duke u bërë virale në TikTok. Francis u bë pjesë e kësaj platforme me menjëherë pas suksesit të papritur të këngës, e cila është përdorur në mbi 17 milionë video, me më shumë se 27 miliardë shikime në mbarë botën.
“Jam e habitur dhe e emocionuar nga vëmendja e jashtëzakonshme që po merr kënga ime e vitit 1962 ‘Pretty Little Baby’,” tha para disa kohësh Francis. “Të mendosh që një këngë që e regjistrova 63 vite më parë po frymëzon breza të rinj, është diçka që më lë pa fjalë.”
“Pretty Little Baby” u publikua në albumin e vitit 1962 Connie Francis Sings “Second Hand Love” & Other Hits, i cili arriti kulmin në vendin e 111-të në listën e atëhershme Billboard Top LPs.
Në maj të këtij viti, kënga u fut për herë të parë në listat globale dhe amerikane të Spotify.
Connie Francis lindi më 12 dhjetor 1937 në Newark, New Jersey, me emrin Concetta Rosa Maria Franconero. Gjatë jetës së saj, ajo vlerësohet se ka shitur mbi 200 milionë disqe në mbarë botën.