Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv "Ditari" të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dyvjeçare me kancerin e gjirit.
Miqtë dhe kolegët e përshkruajnë si një profesioniste të apasionuar pas punës, që prej shumë vitesh ka qenë zëri dhe figura e zhvillimeve të ndryshme për Zërin e Amerikës. Politika, ekonomia, çështjet sociale, por edhe arti kanë qenë shtylla e emisionit “Ditari” që ajo drejtonte prej vitesh për Zërin e Amerikës.
Ndarja e saj nga jeta ka sjellë reagimin e shumë miqve dhe kolegëve që kanë ndarë mesazhet e ndjera përmes rrjeteve sociale, për bashkëpunëtoren e palodhur dhe jo vetëm.
“Ne, kolegët e saj të Zërit të Amerikës, do ta mbajmë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj," shkruhet në mesazhin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe miqtë e gazetares se ndjerë përmes një mesazhi: “Me keqardhje mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares së seksionit shqip të 'Zëri i Amerikës', znj. Rudina Dervishi. Gjatë 25 viteve të karrierës së saj në këtë medium, ajo u shndërrua në një figurë të dashur për shqiptarët anembanë botës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së saj, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë që ajo fitoi me zërin e saj të ngrohtë si gazetare dhe drejtuese e emisionit “Ditari”.
Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.