
Pippo Baudo, një ndër prezantuesit më të famshëm në Itali, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, më 16 gusht 2025, në Romë. Lajmin e trishtë e konfirmuan familjarë të Pippo-s, si dhe avokati dhe miku i tij i ngushtë, Giorgio Assumma.
Pippo Baudo lindi në Militello më 7 qershor 1936 dhe ka pasur një karrierë të pasur me pjesëmarrjen në emisione dhe televizione të ndryshme. Ai është nderuar me titullin “Kalorësi i Madh i Kryqit të Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane”, të cilin e mori në Quirinale më 22 shtator 2021.
Pippo ka drejtuar 13 festivale të Sanremos, 5 prej të cilave, për vite radhazi. Ai ka marrë pjesë në mbi 150 programe, mes tyre “Settevoci”, “Canzonissima”, “Domenica In”, “Fantastico” etj, si dhe ka qenë drejtor i Operës së Katanias.
Për humbjen e një legjende të tillë kanë shprehur ngushëllime dhe dhimbje shumë figura të njohura të spektaklit italian.
Prezantuesi, i njohur edhe si "mbreti i ekranit", ka qenë në Shqipëri 2 herë, në vitin 2009 dhe kur bashkëprezantoi "Këngën Magjike 2014", së bashku me Anna Oxa dhe Ardit Gjebrean.
“Pippo ishte si baba për mua,” u shpreh Giancarlo Magalli dhe “Me të largohet një pjesë e jetës sime,” tha me dhimbje Mara Venier.
Ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni shkroi në X: “Fytyra dhe zëri i tij kanë shoqëruar breza të tërë, duke dhuruar emocione, buzëqeshje dhe çaste të paharrueshme. Faleminderit për gjithçka”.