
Situata e zjarreve në Shqipëri
Shqipëria, gjatë 24 orëve të fundit, është përballur me shumë vatra zjarri. Në total, në zona rurale të vendit, janë regjistruar 34 vatra zjarri, nga të cilat, 27 janë shuar, 5 vijojnë të jenë aktive dhe 2 janë duke u mbajtur nën vëzhgim nga zjarrfikësit.
Për t’i dhënë zgjidhje situatës emergjente në vend, janë përfshirë 54 automjete të zjarrfikëses, 690 forca operacionale, 110 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, është raportuar edhe një zjarr në Parkun Natyror Gërmenj dhe zjarrfikësit dhe qytetarët po mundohen ta shuajnë zjarrin dhe të mbrojnë natyrën.
Kosovë/ 19 raste të reja me HIV në vit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë me dije se një person ka ndërruar jetë si pasojë e SIDA-s, e shkaktuar nga virusi HIV. Në raportimet e Institutit, këtë vit, deri më 31 korrik, janë regjistruar 19 raste të reja nga persona të prekur nga ky virus.
Vitin e kaluar, ka pasur 34 raste.
HIV-i është virus që sulmon sistemin imunitar dhe në rastet kur nuk trajtohet, çon në SIDA, që është edhe faza më e rëndë e infeksionit. Për të nuk ka shërim, por nëse merret trajtim i rregullt, atëherë personat e prekur mund të jetojnë më gjatë.
Donald Trump i dorëzon letrën e Melania-s presidentit rus, Vladimir Putin
Gjatë takimit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, presidenti i SHBA, i dorëzoi homologut rus një letër nga e shoqja e tij, Melania Trump. Sipas Shtëpisë së Bardhë, në letrën e shkruar personalisht nga Melania, shprehej shqetësimi për rrëmbimet e fëmijëve gjatë luftës që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Prej kohësh tanimë, Ukraina po akuzon Rusinë për rrëmbim dhe transferim me forcë të mijëra fëmijëve në territorin rus ose në zonat që janë vendosur nën pushtim. Këto transferime bëhen pa aprovimin e prindërve/kujdestarëve të të miturve dhe sipas qeverisë ukrainase, cilësohen si “krime lufte” dhe “gjenocid”. Megjithatë, Rusia i ka mohuar pretendimet, duke argumentuar se fëmijët janë transferuar për të garantuar mbrojtjen e tyre.
BE në mbështetje të Ukrainës
Bashkimi Europian ka shprehur mbështetje ndaj Ukrainës, ndërkohë që Donald Trump dhe Vlaldimir Putin bëjnë takimet për të vendosur fatin e luftës disavjeçare, pa përfshirë Volodymyr Zelensky-n.
Në një deklaratë të nënshkruar nga presidentja e Këshillit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, si dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, thuhet se do të vijojnë sanksionet e shteteve të BE-së ndaj Rusisë.
“Për sa kohë që vrasjet në Ukrainë vazhdojnë, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Rusinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat më të gjera ekonomike për të ushtruar presion mbi ekonominë ruse të luftës derisa të arrihet paqja”.
Më tej, shkruhet se Ukraina ka mbështetje të palëkundur nga këto vende: “Ukraina mund të mbështetet në solidaritet të palëkundur ndërsa punojmë drejt një paqeje që do të sigurojë interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Europës”.