Një histori e jashtëzakonshme u transmetua në “E diela shqiptare” gjatë ditës së sotme, ku nënë e bijë u ribashkuan pasi ishin ndarë për plot 42 vite. Moderatori dhe producenti i spektaklit, Ardit Gjebrea, rrëfeu që në nisje të rubrikës “Ka një mesazh për ty” se Xhevahirja, e cila jeton në Itali, kishte kontaktuar gazetarët e spektaklit për të rigjetur të bijën e saj, me të cilën e ndanë kur ajo ishte vetëm një foshnjë, 42 vite më parë. Në saj të informacioneve që Xhevahirja u dorëzoi gazetarëve, ata mundën më në fund të gjenin Julin, e cila jetonte prej vitesh në Greqi. Në një bisedë paraprake me Gjebrean, Juli tregoi se ishte rritur nga nëna dhe babai në Fier dhe se këta të fundit i treguan se ajo ishte e adoptuar vetëm kur ajo ndodhej në universitet në Tiranë.
“Kur ma tha, nuk e besova, sepse kam edhe një ngjashmëri të madhe me prindërit. Por të gjithë rreth meje e dinin, përveç meje. Prindërit kishin frikë mos largohesha prej tyre.”- rrëfeu Juli. Ajo tregoi se për këtë çështje nuk i thanë asgjë më shumë, as kur mamaja e saj adoptuese u nda nga jeta në vitin 2012. Mirëpo, në nëntor të 2016-ës, ajo u kontaktua nga gazetarët e “E diela shqiptare” të cilët e informuan se një grua që mund të ishte nëna e saj biologjike, kërkon ta takojë.
“Kam menduar për nënën time biologjike, por nuk e kam fajësuar asnjëherë. Nga njëra anë doja të dija të vërtetën, nga ana tjetër nuk doja të mërzisja prindërit që më rritën e më edukuan.”- u shpreh Juli, e cila vendosi të mësojë të vërtetën e jetës së saj, vetëm pasi i ati u nda nga jeta në dhjetor të 2016-ës.
Kështu, 42-vjeçarja ndodhej sot në studion e “E diela shqiptare”, ku dëgjoi me veshtë e saj, historinë e nënës së saj biologjike, e cila nuk e dinte se e bija ishte përtej murit ndarës. Xhevahirja rrëfeu se në moshën 15-vjeçare, ishte dashuruar me një djalë në shkollë dhe në moshën 16-vjeçare, ajo mbeti shtatzënë.
“Unë nuk kisha guxim t’i thoja tim ati. Për 16 muaj e kam ushqyer me gji time bijë [fillimisht në maternitet e më pas në befotrof]. Stavri (i dashuri) erdhi pas një jave që kisha lindur sepse e mori vesh lajmin nga fqinaj ime. U justifikua se nuk kishte ardhur sepse ishte sëmurë, por unë nuk e besova sepse isha me nerva. Por ai kishte qenë vërtet sëmurë.”- rrëfeu Xhevahirja e cila tregoi se vetëm pas pak javësh, i dashuri i saj ishte ndarë nga jeta. Ajo u shpreh se kishte vendosur që do ta rriste e vetme të bijën, por duke mos pasur mundësi ta mbante në shtëpi, e mbante në befotrof, derisa të sistemohej për të jetuar me të në një shtëpi. Por, një mëngjes, kur do të shkonte ta ushqente siç bënte përditë, ajo nuk e gjeti më Julian.
“M’u justifikuan me gjëra nga më të ndryshmet. Drejtoresha e befotrofit e bëri këtë, sepse unë nuk firmosa që ta jap vajzën. I kërkova vetëm të ma mbanin pak kohë sepse doja të jetoja me time bijë. S’më treguan më asgjë. Doja të thyeja të gjithë xhamat, doja fëmijën tim!”-tha ajo e emocionuar, duke mos e ditur ende nëse e bija kishte ardhur për ta takuar apo jo.
Xhevahirja tha se ndonëse kishte krijuar një familje të re dhe jeton në Itali me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tjerë, nuk kishte rreshtur kurrë së kërkuari Julian, vajzën e saj të parë. Ajo madje tregoi se në Itali kishte kontaktuar edhe me Maria De Filippi-n e emisionit “C’e posta per te”, e cila e kishte udhëzuar që të shkonte tek Ardit Gjebrea në Shqipëri, fakt ky që e la pa fjalë moderatorin e njohur.
Pas rrëfimit të dhimbshëm, nënë e bijë më në fund u parë në ekran për herë të parë pas 42 vitesh, moment ky që u pasua nga një përqafim i përmalluar që përloti edhe publikun.