
Imagjino një depo të madhe brenda një anije mallrash të ndarë në disa kate. Tani, përfytyroje këtë hapësirë me rreth 14,000 njerëz. Është errësirë, depoja rrethohet nga mure çeliku. Fryma e njerëzve aty brenda është e vetmja gjë që ngroh disi. Vendi është mbushur nga një erë e rëndë mbeturinash, të cilat qëndrojnë grumbull nëpër këmbët e tyre.
Mes gjithë kësaj rrëmuje, në përpjekje për të ikur kush e di se ku, ndodhen edhe disa gra shtatzëna. Foshnjat e tyre do të lindin pikërisht aty, teksa lundrojnë në një anije mallrash në detin e ftohtë Lindor.
Datëlindjet e tyre janë në fund të dhjetorit 1950, gjashtë muaj pas fillimit të një lufte që ka përfshirë Gadishullin Korean.
Foshnjat e lindura përveç fatit, do të ndajnë të njëjtët mbiemra, Kimchi 1, Kimchi 2, 3, 4 dhe 5.
Më vonë, historia do t’i njohë si Mrekullia e Krishtlindjeve, pesë jetë të brishta të hedhura në rrjedhat e rrezikshme dhe të pandjeshme të historisë dhe të detit.
“Pa bashkëpunimin e ushtarëve amerikanë, ne refugjatët nuk do të kishim arritur në Jug në kërkim të lirisë,” tha më vonë një prej fëmijëve që lindën në atë anije, Sohn Yang-young, i cili u quajt Kimchi 1.
Kimchi 1 deri te 5 ishin mbiemra që iu vunë nga anëtarët e ekuipazhit amerikan si një shenjë nderimi ndaj ushqimit më të njohur korean.
Ata lindën në SS Meredith Victory, një anije mallrash e ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Përgjatë atyre viteve, në lindje, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut ishin në luftë. Pjesë e saj ishin bërë trupat amerikane dhe ato të Kombeve të Bashkuara.
Ushtarët e dërguar prej tyre, ndihmuan që përparimi i Koresë së Veriut drejt Jugut të kufizohej.
Gjërat ndryshuan kur Kina vendosi të bëhej pjesë e luftës.

Rreth 120 mijë ushtarë kinezë luftuan kundër vetëm 30 mijë marinsave dhe ushtarëve amerikanë, në temperatura nën zero, për rreth 17 ditë në fund të nëntorit 1950.
Beteja e ashpër i detyroi të tërhiqeshin drejt Hungnamit, në bregun lindor të Koresë së Veriut, ku po planifikohej një evakuim masiv.
Së shpejti atyre iu bashkuan dhjetëra mijëra civilë që po iknin.
“Ne planifikuam transport për 25 mijë persona. Brenda natës, u shfaqën 50 mijë koreano-veriorë që donin të largoheshin, shumë shpejt ky numër u dyfishua,” kujtonte zëvendësadmirali amerikan James Doyle, që mbikëqyri operacionin e evakuimit.
“Ishte kaos, kishte rreth 100 mijë refugjatë koreano-veriorë që vërshonin në port,” i tha CNN-it Burley Smith, oficer i ri në anije.
“Njerëzit qëndronin ngjeshur me njëri-tjetrin, me foshnja në shpinë. Kishte plot burra, gra e shumë fëmijë.”
Për më shumë se 30 orë, duke nisur nga mëngjesi i 22 dhjetorit, refugjatët e fundit u ngjeshën në Meredith Victory, me pesë hambarë, secili me nga tre kate njerëzish. Të tjerë u vendosën në kuvertë, në të ftohtin më ekstrem që mund të ishte përjetuar ndonjëherë.

Mes refugjatëve ishin edhe prindërit e Sohn Yang-young, Kimchi 1. Ata kishin lënë dy fëmijët e tyre të parë te xhaxhai në Veri, duke besuar se ndarja do të ishte e përkohshme.

Pozicioni i lartë i babait të Sohnit do ta vinte familjen në rrezik nëse komunistët merrnin kontrollin. Ndaj ai u këshillua të strehohej për pak javë në Jug me gruan shtatzënë. Por, kjo nuk ndodhi kurrë.
Anija ishte e mbushur tej mase. Nuk kishte dritë, ngrohje, ushqim, ujë apo tualete. Kushtet ishin çnjerëzore, por për mrekulli askush nuk humbi jetën.
Pesë foshnjat lindën në kabinën kryesore, me ndihmën e ekuipazhit dhe grave koreane.

Anija mbërriti në ishullin Geoje, në Korenë e Jugut. Aty, Sohn kaloi shtatë vitet e para të jetës së tij.
Çdo mëngjes, nëna e tij lutej drejt Veriut, duke shpresuar që fëmijët e lënë pas të ishin mirë.
Sot, 75 vjeç, Sohn vazhdon të shpresojë për ribashkim.

“Do t’ju kërkoj deri sa të mbyll sytë,” tha ai. “Qëndroni të fortë dhe të shëndetshëm deri sa të takohemi sërish. Ne duhet të takohemi përsëri.”
Burimi: CNN