
Jennifer Aniston dhe Justin Theroux bënë publike ndarjen e tyre javën e kaluar dhe s’u desh shumë kohë që Brad Pitt, ish bashkëshorti i Aniston, të bëhej pjesë e bisedës. Shumë fansa pyetën dhe shpresuan që dyshja të bëhej sërish bashkë. Burime të brendshme raportojnë se Brad Pitt ka qenë në jetën e Aniston, por jo ashtu si e prisni. Ishte aty, në formën e letrave.
Burimi tha për Us Weekly se Justin Theroux “gjente nëpër shtëpi letra të shkruara nga Brad” dhe shton se “ishin letra të ëmbla si përshembull ‘ishe shumë e bukur sot’ ose ‘më ka marrë malli që tani’”. Burimi gjithashtu tregon se Jennifer foli me Justin dhe i tha se ato letra s’kanë asnjë domethënie, por sigurisht, atij nuk iu bë qejfi. “Justin ishte i pasigurtë ndonjëherë.”
Në deklaratën e bërë publike, Jennifer dhe Justin zbuluan se ndarja e tyre ishte vendim i përbashkët, marrë në fund të vitit të shkuar. Sipas raportimeve, një nga arsyet e ndarjes së tyre ishte distanca, stilet e ndryshme të jetesës dhe pamundësia për të vendosur mes New Yorku dhe Los Angeles. Gjithashtu u përfol se Brad e kontaktoi Aniston gjatë divorcit nga Angelina Jolie, por të vërtetën mund të mos e marrin vesh kurrë.
Në mbrojtje të Aniston, kush nuk ka ruajtur letra, një trëndafil të tharë apo një bluzë nga ish i dashuri?