
Filmi “Wuthering Heights” me Margot Robbie dhe Jacob Elordi pati premierën botërore më 28 janar dhe reagimet e para kanë qenë të forta. Të pranishmit në premierë e përshkruan filmin si jashtëzakonisht sensual, emocional dhe vizualisht mbresëlënës, ndërsa gazetarja Ada Enechi nga BuzzFeed UK e përmblodhi shkurt: “Ose do ta dashuroni, ose do ta urreni.”

Regjisorja dhe skenaristja Emerald Fennell sjell një përshtatje të guximshme të romanit klasik “Wuthering Heights” të Emily Brontë-s, duke e risjellë historinë e famshme të dashurisë së errët mes Catherine Earnshaw dhe Heathcliff në një mënyrë moderne, intensive dhe provokuese. Ky version thekson pasionin, obsesionin dhe tensionin seksual mes personazheve, duke u larguar nga interpretimet tradicionale më romantike.

Kritikët kanë vënë theksin veçanërisht te kimia mes Margot Robbie dhe Jacob Elordi-t, duke e cilësuar si një nga pikat më të forta të filmit. Sipas reagimeve të para, tensioni mes tyre dominon ekranin dhe shoqërohet nga një realizim vizual i fuqishëm, me kinematografi, kostume dhe muzikë që e thellojnë atmosferën dramatike dhe ndjesinë e dëshirës së zjarrtë.
Kjo përshtatje nuk synon të jetë besnike ndaj versionit të njohur nga librat shkollorë, por të ofrojë një këndvështim të ri, më të errët dhe emocionalisht tronditës të romanit të Brontë-s. Për këtë arsye, filmi po shihet si një vepër që ndan publikun, por që padyshim rikthen në qendër vëmendjeje një nga historitë më të famshme të dashurisë në letërsinë botërore.



Filmi “Wuthering Heights” rrëfen dashurinë fatale dhe të përgjakshme mes Catherine Earnshaw dhe Heathcliff, të cilët rriten së bashku në një fermë të largët në Angli. Heathcliff, një djalë i huaj i adoptuar nga familja Earnshaw, zhvillon një lidhje të thellë me Catherine, por kur ajo zgjedh të martohet me një tjetër, Edgar Linton, zemërimi dhe xhelozia e Heathcliff-it çojnë në hakmarrje, tradhti dhe tragjedi. Historia përqendrohet në pasionin e tyre të papërmbajtshëm, konfliktet familjare dhe ndikimin e zgjedhjeve të tyre mbi jetët e të gjithë personazheve rreth tyre, duke e kthyer dashurinë në një forcë shkatërruese.