Rudina Xhunga, në rubrikën “Opinion” në News24, u ndal te dërgimi i ekipit të 20 infermierëve dhe 10 mjekëve në Itali, që mori vëmendje ndërkombëtare. Sipas Xhungës, solidariteti i Shqipërisë për situatën kaotike në Itali nuk do të harrohet dhe italianët do të lidhen më shumë me vendin tonë.
“Unë jam prekur kur pashë te Corriere që Shqipëria ka çuar mjekë në Itali. Nuk më besohej që kjo ishte e mundur. Nuk është e rëndësishme çfarë themi ne për këtë veprim, por çfarë do të ndodhë pas kësaj. Italianët në verë do të zbarkojnë te ne. Keni për ta parë Vlorën dhe do të habiteni. Këta njerëz që u habitën nga veprimi ynë, do vijnë të na shohin nga afër. Do të ketë kaq shumë italianë këtë vit, sa do të habiteni sa shumë të mira do të kemi nga një akt i tillë.”
Në vijim shtoi:
“Ata 30 vetë që kanë shkuar në Itali, kanë shkuar në luftë, ku nuk dihet nëse vjen apo jo gjallë. Nuk e di pse e kanë bërë, por ky akt do të na kthehet. 30 mjekë e infermierë asgjë s’do të shtonin, por treguan një zemër të hapur, një shtet të vogël, i cili thotë se ‘unë jam këtu’. Unë jam pro çdo gjëje që thonë mjekët këto kohë, ju përulem atyre.[…] Fakti që 30 mjekë shkuan atje të bën të mendosh që ja kemi dalë ne shqiptarët, që nga ajo koha kur mbushnim anijet, tani shkojmë për t’u trajnuar, për të ndihmuar. Kështu që këto periudhat e këqija na bëjnë të ndajmë edhe kujtime, të mendojmë se ne kemi ecur.”