
Mira Kazhani, këtë herë, e nisi podkastin e saj ndryshme: me një rrëfim të sinqertë për një prej betejave më të vështira të jetës së saj, diagnostikimin me kancer gjiri.
Dukshëm e emocionuar, Mira tha se u diagnostikua më 2 nëntor 2024 dhe e cilësoi këtë “goditje të beftë” si “dimrin e jetës”. Më tej, shtoi se gjithçka ndryshoi dhe se ajo zgjodhi të mos e bënte publike diagnozën, por të përqendrohej te shërimi i saj:
“U diagnostikova me kancer në gji dhe që prej asaj dite gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Në podkaste keni parë vetëm gjysmën time, ndërsa pjesa tjetër…zhvillohej në një betejë të gjatë me sëmundjen. Në atë kohë zgjodha të hesht, të përqëndrohem te shërimi im dhe të mos bëhem lajm në rrjet. Sot, ndihem mirënjohëse ndaj kolegëve të mi që e mësuan situatën time e që nuk e shpërndanë lajm, duke më sjellë qetësi mua e që nuk sollën shqetësim te prindërit e mi, që nuk e dinin se çfarë po kalonte fëmija i tyre. Tani e dinë se çfarë kisha”.
Gazetarja, autorja dhe prezantuesja e “Zë me Mirën”, tha gjithashtu se gjeti motivimin duke dëgjuar rrëfimet e grave të tjera, të cilat gjithashtu ishin prekur nga kanceri, por theksoi se edhe pse në rastin e saj kanceri u zbulua në fazat e hershme, sërish është një makth për çdo grua.
“Nuk ka kancer të lehtë, është makth. Edhe kur diagnostikohet në fazat e para, është një plagë e madhe në shpirt e trup”.
View this post on Instagram
Në videon e publikuar në Instagram, Mira u shpreh se mori qindra mesazhe dhe mendoi ta ndante me të gjithë këtë pjesë të jetës.
"E kisha menduar ta ndaja si çdo të premte episodin, por sot, duke parë interesin dhe mesazhet lumë që më kanë mbërritur në celular, kuptova se nuk kishte kuptim të mbaja një suspansë për një histori si kjo e imja. Prandaj, po bëj një përjashtim dhe po thyej një rregull — sepse edhe jeta na detyron ndonjëherë të bëjmë kështu, ashtu siç më ndodhi mua një vit më parë????
Mira ka folur më gjatë për “dimrin” e saj në “Një ditë tjetër”, librin që do të publikohet më 19 shtator.