
Genar Topalli ka reaguar për herë të parë, pas gjithë zhurmës që shkaktoi në rrjet komenti i Eva Muratit, e cila pretendoi se dasma e tij dhe e Cindy Marinës mund të jetë bërë me paratë e fondeve publike.
Përmes një postimi në Facebook, Genari saktësoi publikun, duke treguar detaje nga kostot e dasmës.
“Të dashur miq, familjarë dhe të njohur! Më 13 shtator 2025 përjetova ditën më të bukur të jetë sime: U kurorëzova me Cindy Marinën. Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë”, shkroi fillimisht ai.
Më tej, Genari vijoi:
“Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Mërisë, tek Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik. Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk i kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka ishte e menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetje të prindërve të saj”.
Genari shtoi se ai dhe Cindy jetojnë dhe punojnë në SHBA, ku secili ndjek karrierën respektive, si dhe bëri me dije se prindërit e bashkëshortes së tij kanë krijuar biznese të suksesshme në fushën e sportit dhe të transportit.
Deklarata e Genarit vjen pasi ish-e dashura e tij, Eva Murati, komentoi në një video në TikTok, duke u shprehur:
“Nuk dua që miliona shqiptarë të më dëshirojnë vdekjen sepse po mburrem me para që mund të jenë të vjedhura nga fondet publike. (Drejtuar Genarit) E di që më ndjek çdo ditë, por ta bësh këtë një ditë pas dasmës tënde është më shumë se patetike (drejtuar Cindy-t).”
Më vonë, moderatorja bëri një deklaratë në “Live from Tirana”, ku tha:
“Besoj se shumë njerëzve u ka ardhur si bombë, pasi nuk është në natyrën time të shkruaj kështu, apo të merrem me deklarata të tilla. Më vjen keq për gjithë këtë sepse rashë totalisht në kurth. Ishte një përgjigje e kthyer pas provokimeve të njëpasnjëshme në anglisht nga e njëjta adresë dhe për t’ia mbyllur gojën u krijua kjo situatë e pakëndshme”.
Eva theksoi:
“E them me bindje “kurth”, sepse gazetat e morën në mënyrë të njëpasnjëshme komentin gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Fatkeqësisht dhe padashur, u bëra pjesë e një telenovele që realisht nuk dua të jem pjesë. Jetë të lumtur për të gjithë!”.
Sa i përket dasmës së Genarit dhe Cindy-t, mund të klikosh këtu.