Një një njoftim zyrtar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil, njoftoi se aktiviteti ajror do të fillojë nga data 22 qershor.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për rifillimin gradual dhe të sigurt të aktivitetit të transportit ajror.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim. Përgjatë javës që fillon në datë 22 qershor 2020, për skedulat e aktivizuara, shoqëritë ajrore duhet të marrin masa e nevojshme për të mundësuar rezervimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.”
Në vijim të deklaratës thuhet:
“Autoriteti i Aviacionit Civil do të monitorojë rigorozisht zbatimin e këtyre masave. Operatorët ajrorë që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga TIA për në aeroportin e destinacionit të synuar, si dhe për kërkesat që përmbahen në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, si dhe të rregullave të kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në aeroportin e destinacionit.”
Ndërkohë Mali i Zi njoftoi se do të mbyllë të hënën kufirin me Shqipërinë dhe askush nuk do të lejohet të kalojë pa analizën e Covid-19. Po kështu kufijtë për Shqipërinë qëndrojnë të mbyllur edhe nga autoritetet greke. Kufijtë tokësorë me Greqinë pritet të hapen në fillim të korrikut.