Emisioni më i njohur i Jona Spahiut është pa dyshim “Pa filtër” në Digitalb, i cili konisistonte në intervista tête-à-tête. Formati zgjati dy sezone dhe më pas arriti natyrshëm drejt fundit, sepse siç e tha vetë Jona, aq personazhe janë, aq intervista mund të bësh, aq mund të nxjerrësh, sado gjatë t’i shtrydhësh.
E ftuar në “Pop Culture,” Jona shprehu diçka që ngjan sikur e kemi dëgjuar me dhjetra herë:
“Njerëzit më të rëndësishëm nuk kanë kurrsesi këto komplekse dhe këtë lloj tangërlliku që kanë njerëzit e parëndësishëm. Me sinqeritet. Njerëz të mëdhenj, goxha të realizuar, me shumë arritje në jetë kanë qenë me këmbë në tokë, sportivë, pa komplekse dhe e kanë shijuar atë që kanë bërë. Ndërsa këta njerëzit e tjerë që kanë probleme me veten e tyre kujdesen për këto detajet... Momentin që ti pranon të vish për intervistë, [e zëmë], te Dojna, ti beson në kualitetet e Dojnës dhe në atë që servir Dojna. [Në të kundërt], mos prano!”
Jona ka intervistuar Ylli Limanin, Armina Mevlanin, Armand Pezën, Ermal Metën, Fatma Haxhialiun, Almeda Abazin, Erion Veliajn, Alketa Vejsiun, Jonida Vokshin, Suada Sherifin, Ilda Bejlerin e më the e të thashë, prandaj është e vështirë të ndash të rëndësishmit nga të parëndësishmit.
Për sa i përket rikthimit në ekran, Jona ka një plan, por s’ka kohë.
“Po punoj një projekt, kam një ide shumë të mirë, por kam qenë shumë e zënë që ta materializoj. Jam natyrë perfeksioniste dhe nuk mund t’ia lejoj vetes të dalë keq. Dua diçka që e superon projektin tim të kaluar. Nuk do t’ia lejoja vetes të bëja diçka më të dobët,” tha ajo.
Ironikisht, fill pasi rrëfeu se ka ndërmend të rikthehet në ekran, pranoi se nuk sheh thuajse fare televizor. Jo vetëm ajo, po gjithë brezi i saj ka kthyer sytë nga YouTube dhe Netflix.