Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur që Çmimin Nobel për Paqen për këtë vit t’ia japë Maria Corina Machado-s nga Venezuela. Ajo u përzgjodh për angazhimin e saj të palodhur në mbrojtjen e të drejtave demokratike të popullit venezuelian, si dhe për përpjekjet e saj të guximshme drejt një tranzicioni paqësor dhe të drejtë nga diktatura në demokraci.
Gjatë vitit të kaluar, Machado ka qenë e detyruar të jetojë e fshehur, përballë kërcënimeve serioze ndaj jetës së saj. Megjithatë, ajo zgjodhi të qëndrojë në vendin e saj, një vendim që ka frymëzuar miliona qytetarë.
"Kur pushteti bie në duart e autoritarëve, është thelbësore të njohim ata mbrojtës të guximshëm të lirisë që ngrihen dhe rezistojnë. Demokracia mbahet gjallë nga ata që nuk heshtin, që guxojnë të dalin përpara pavarësisht rrezikut, dhe që na kujtojnë se liria nuk është e dhënë, ajo duhet mbrojtur vazhdimisht, me fjalë, me guxim dhe vendosmëri", – theksoi Komiteti Norvegjez i Nobelit në vendimin e tij.
Si udhëheqëse e lëvizjes demokratike në Venezuelë, Maria Corina Machado është kthyer në një nga figurat më të spikatura të guximit politik në Amerikën Latine vitet e fundit. Ajo arriti të bashkojë një opozitë dikur të përçarë, duke krijuar një front të përbashkët që kërkon zgjedhje të lira dhe qeveri përfaqësuese.
"Kjo është në vetvete thelbi i demokracisë, vullneti ynë i përbashkët për të mbrojtur parimet e sovranitetit popullor, edhe kur kemi mendime të ndryshme. Në një kohë kur demokracia është nën presion, është më e rëndësishme se kurrë të ruajmë këtë terren të përbashkët."
Pse jo Donald Trump?
I pyetur nëse Donald Trump ishte marrë në konsideratë për çmimin, për shkak të fushatave publike që e propozonin, zëdhënësi i Komitetit Norvegjez tha:
"Në historinë e gjatë të Çmimit Nobel për Paqen, kemi parë shumë fushata të tilla. Ne marrim mijëra letra propozimesh çdo vit. Por kur komiteti mblidhet në dhomën ku ndodhen portretet e fituesve ndër vite, ajo mbushet me ndjenjën e guximit dhe integritetit. Vendimet tona mbështeten vetëm mbi punën dhe vizionin e Alfred Nobelit, asgjë më pak."