
Aktorja, prezantuesja dhe aktivistja, Jameela Jamil, ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se nuk do të japë më kurrë intervistë për një gazetare grua.
Në shkrimin e saj në rrjete sociale, ajo rrëfen zhgënjimin e thellë që ka ndjerë pas një interviste të fundit të publikuar në “The Sunday Times” nga gazetarja Liz Edwards, një artikull që, sipas saj, duket sikur është shkruar nga një studente që përpiqet dëshpërimisht të mbajë punën me klikime.
Jamil, e njohur për zërin e saj të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të grave, theksoi se gjatë karrierës së saj 17-vjeçare është intervistuar nga “qindra gra”, por vetëm tre prej tyre kanë treguar profesionalizëm dhe drejtësi në mënyrën si e kanë portretizuar.
“Pjesa tjetër vinte me një ide të paracaktuar për mua, pa më takuar asnjëherë apo njohur dikë që më njeh. Shkrimet e tyre nuk synonin të informonin publikun, por të më denigronin apo turpëronin.”
View this post on Instagram
Ajo e konsideroi artikullin në “Sunday Times” si të njëanshëm dhe ofendues, duke e akuzuar intervistuesen për keqinterpretim të asaj që ka thënë. Kur u pyet për zërat që thonë se mund të jetë duke e ekzagjeruar situatën për të tërhequr vëmendje, Jamil u përgjigj:
“Budallallëqet janë diçka që duhet t'i dekurajojmë në media.”
Ajo rrëfeu se gjatë intervistës kishte folur me sinqeritet për tema të rëndësishme si trishtimi, mizogjinia, standardet e bukurisë, diskriminimi mbi moshën dhe provokimi, por pjesa më e madhe e asaj që tha nuk u përfshi fare në artikull.
“Çdo artikull i shkruar nga një grua është i mbushur me ironi, ton përçmues dhe sulme të kamufluara ndaj karakterit tim,” shkruan ajo.
“Në vend që të eksplorojnë mendimet apo idetë e mia për feminizmin, ato përpiqen të më kapin në kontradikta, të më turpërojnë për gabimet e mia, të më vënë në pikëpyetje të drejtën për të folur.”
Në fund, ajo theksoi se vendimi për të mos dhënë më intervista për gazetaret gra vjen si pasojë e një zhgënjimi të thellë, por gjithashtu si një akt mbrojtjeje personale, në një mjedis mediatik që, sipas saj, shpesh dëmton më shumë se ndihmon gratë që guxojnë të flasin hapur.