Bashkëshorti i Irma Libohovës Besnik Kaso është ndarë nga jeta ditën e sotme pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë. Bashkëshortja e tij prej 32 vitesh dhe djali i vetëm, Ataoli, i kanë dhënë lamtumirën ditën e sotme.
Këngëtarja ka mbajtur një profil të ulët rreth jetës së saj personale dhe pak herë kemi parë foto të të dyve, por në një intervistë në emisionin "Kontrata" të Sonila Meços, ka treguar për mënyrën si janë njohur.
“Në fillim e kisha parë në xhiron e Tiranës, në bulevard, te Hotel Dajti. Besniku kishte shumë shije për t’u veshur, mbante disa këmisha me ngjyra të forta, syze dielli dhe ndonjë libër, mësonte frëngjisht në atë kohë dhe nisëm të 'mësonim' të dy më vonë”.
Ata ishin njohur nga afër në ansambël dhe kaluan kohë bashkë derisa u martuan. Dasma u bë në oborrin e shtëpisë dhe Irma këndoi vetë për të ftuarit. Ajo tregoi që gjatë këtyre viteve, Besniku, përveç humorit të tij origjinal, ka pasur meritën që ka bërë lëshime dhe e ka përkrahur Irmën në karrierë, sepse nuk është e lehtë për çdo mashkull të jetë në hije ndërsa partnerja është e njohur nga të gjithë.