
Në romanin “Pas dyerve të Parisit”, Sindi Tona arrin të ndërtojë një histori, që në pamje të parë, duket si një udhëtim romantik, por që shndërrohet shpejt në një rrugëtim emocional drejt vorbullës së dyshimit, identitetit dhe së vërtetës. Nisur që nga titulli, libri sugjeron më shumë sesa një sfond turistik; nënkupton mistere që fshihen pas fasadave elegante të qytetit, por sigurisht, edhe pas fasadave të personazheve.
A mund të duash dikë që nuk e njeh?
Në qendër të romanit është çifti Sia dhe Eideni, të cilët ndërmarrin një udhëtim paramartesor drejt Parisit. Po ky nuk është një udhëtim romantik për të kurorëzuar dashurinë, por për ta testuar atë. E shkruar me një stil të gjallë, ku mbizotëron dialogu, rrëfimi zbërthen marrëdhënien e tyre përmes një loje të hollë ironie, analize dhe tensioni të brendshëm. Sia, protagoniste me një zë të spikatur narrativ, përballet me dyshimet që ia mbërthejnë mendjen dhe zemrën: a është Eideni ai që thotë se është? Po ajo vetë, kush është?
Ky vetëreflektim e bën romanin më shumë se një histori dashurie, por një shkrim për identitetin, performancën sociale, përpjekjen për kontroll dhe për pasigurinë që fshihet pas një jete të dukshme të përkryer. Rrjetet sociale, idealet pop-kulturore, mania për detajet e përsosura dhe ndjeshmëria ndaj gjykimit, janë shtresa që Sindi Tona i ndërton me mjeshtëri në personalitetin e Sias. Ajo është një figurë që ndërton identitetin e saj nëpërmjet estetikës, por që në thelb vuan pasiguri të thella.
Një burrë me të kaluar që ka lënë gjurmë
Eideni është një personazh që provokon dyshime të menjëhershme te lexuesi. Ftohtësia e tij, reagimet e përmbajtura, heshtja rreth së shkuarës dhe marrëdhënia e tensionuar me babain autoritar, Tomin, krijojnë një atmosferë plot trysni, që zgjerohet e shpaloset nga faqja në faqe. Parisi nuk është vetëm vendi i takimit me motrën e Sias, por edhe bota ku të fshehtat dhe e kaluara e Eidenit mund të dalin sheshit.
Vëllai binjak i ndjerë, Danieli, dhe ngjarjet misterioze në Parisin e viteve studentore, krijojnë një hije të rëndë mbi gjithë romanin. Pa e shpjeguar kurrë tërësisht, autorja lë mjaftueshëm të nënkuptohet se e kaluara e Eidenit ka qenë e errët, ndoshta edhe e rrezikshme. Në këtë mënyrë, romani ngrihet mbi një qorrsokak psikologjik, që e bën lexuesin të dyshojë vazhdimisht: kush po luan me kë?
Stili dhe ironia si mjet i rrëfimit bashkëkohor
Një nga arritjet më të veçanta të këtij romani është gjuha. Dialogët janë të shpejtë, të mprehtë, të ndërtuar me humor të zi dhe të hollë, sarkazëm dhe nuanca ironike që përforcojnë karakterin e dy protagonistëve. Tona shkruan me një vëzhgim të hollë të përditshmërisë urbane dhe sjelljeve të brezit të ri, duke e bërë prozën të freskët dhe të afërt me lexuesin modern.
Megjithatë, kjo ironi është e dyanshme: nga njëra anë zbret maskat e hipokrizisë sociale, por nga ana tjetër, fsheh ose shtyn në plan të dytë dhimbjet dhe frikërat e vërteta të personazheve. Në këtë kontrast, lexuesi herë gjendet me buzën në gaz, e herë me zemrën në dorë.
Një roman për maskat, pamjen dhe të vërtetën
“Pas dyerve të Parisit” është një roman që ka kurajën të prekë tema si: të shkuarën e errët, marrëdhëniet e ndërlikuara familjare, rolet gjinore, performancën e dashurisë dhe iluzionin e përhershëm të një jete thuajse të përsosur. Tekefundit, çfarë ndodh kur të vërtetat nuk përputhen me imazhet që projektojmë tek të tjerët? Çfarë ndodh kur dashuria nuk është e thjeshtë dhe e qetë, por e çrregullt, e dyshimtë dhe e mbështjellë nën petkun e misterit?
Ky roman e sfidon idenë romantike të martesës, si qëllim për të të plotësuar, dhe sugjeron se ndonjëherë, udhëtimi drejt një të vërtete personale është më i rëndësishëm sesa çdo premtim nën kurorë.
Pak fjalë për autoren
Sindi Tona është një nga zërat më premtues të brezit të ri në letërsinë shqipe. Me një stil të veçantë, delikatesë dhe thellësi në mendim, ajo shkruan me një finesë që rrallëherë haset në fillimet e një shkrimtari. Fjalët e saj nuk tregojnë thjesht histori, por krijojnë atmosferë, ndërtojnë personazhe komplekse dhe prekin zemrat e lexuesve. Dialogët e mprehtë, ironia elegante dhe qasja bashkëkohore ndaj temave universale e bëjnë prozën e saj të freskët, moderne dhe të fuqishme. “Pas dyerve të Parisit”, romani i saj i tretë, është dëshmi e kësaj zotësie: një triller emocional që të rrëmben që nga faqja e parë, e të mban pezull deri në të fundit. Sindi Tona është vetëm në fillim të rrugëtimit të saj letrar, por çdo faqe që shkruan është një hap i sigurt drejt formimit të një zëri që premton të lërë gjurmë në letërsinë e kohës sonë.
Pasazhe nga libri
1) Shpesh, e gjej veten duke menduar se çfarë më tërhoqi më së shumti tek ai dhe gjithmonë vërtitem rreth së njëjtës përgjigje: ai mbart njëfarë palexueshmërie dhe misteri.
2) Nuk mund të rrezikoj që Sia të ikë, sepse marr fund. Do të gjendesha sërish në rrjetën e vetmisë, si thuajse njëzet vjet më parë, gjë që nuk do ta përballoja dot. Eideni me të cilin do të martohet është ky i sotmi; të vjetrin nuk ka pse ta njohë. Unë gjithmonë ia dal. Ia kam dalë atëherë, do t’ia dal edhe tani. Nëse Sia mëson diçka, bën mirë ta fshehë, sepse nëse unë ndiej rrezik, do të detyrohem të mbrohem dhe e kam të pamundur të frenoj.
3) Çfarë mbart kaq hermetike ky Parisi, përtej historisë së Danielit? S’mund të jetë vetëm kaq, apo jo?
4) Nuk marr përgjigje, por as nuk pres, sepse thuajse gjithmonë më gënjejnë ndjesitë. Asnjëri nga ne nuk guxon ta pranojë se ajo që sapo thashë, nuk është asgjë më shumë se një gënjeshtër për ta bërë tjetrin të ndihet mirë.