
Filmi i ri i Jacob Elordi-t, Frankenstein, duket se ka qenë një sukses i vërtetë në premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecia, duke marrë ndër duartrokitjet më të gjata në këmbë deri më tani, rreth 13-14 minuta entuziazëm nga publiku. Madje, aktori australian u emocionua pas shfaqjes së filmit horror të realizuar nga regjisori i njohur Guillermo del Toro.
Megjithatë, momentet pas shfaqjes nuk kaluan pa tension.
Në një video të publikuar në TikTok më 31 gusht, Elordi shihet duke përshëndetur fansat jashtë sallës së shfaqjeve, kur përfshihet në një debat me një anëtar të stafit të festivalit. Në pamjet e shpërndara, aktori dëgjohet duke i thënë punonjësit:
“Do të bëj një foto këtu. Mos më trego mua se çfarë të bëj.”
Sipas TikToker-it që ndau videon, Elordi kishte qenë “shumë i sjellshëm” gjatë eventit dhe kishte bërë foto me sa më shumë fansa që mundi. Por komentet e ndjekësve ishin të ndara.
Një pjesë e fansave shprehën zhgënjim për sjelljen e aktorit:
“Kjo ishte vërtet e pahijshme nga ana e Elordit,” shkroi një komentues.
“I shkreti, ai thjesht po bënte punën e tij,” vuri në dukje një tjetër.
“Ai është aty për sigurinë tuaj,” shtoi një komentues i tretë.
Pavarësisht momentit të sikletshëm, Elordi shkëlqeu në tapetin e kuq i veshur me një kostum klasik të zi dhe një papion elegant. Ai po vazhdon të forcojë pozicionin e tij si një nga emrat më premtues të Hollywood-it, edhe pse fama vjen me sfidat e saj, si brenda, ashtu edhe jashtë sallave të kinemasë.