Edhe pse janë spektakle konkurrente dhe produksionet e tyre me raste janë perplasur edhe në media, mes protagonistëve të "Dance with me" dhe "Dancing with the Stars" duket se ekziston një lloj vëllazërimi.
Një ndër pretendentet kryesore për çmimin e madh të DWTS, aktori Florian Agalliu, pak përpara finales së djeshme shkruan për konkurrenten Irena Kita duke i thënë se "Irena Kita e meriton më shumë se kushdo fitoren sot!!! Do ishte zhgënjim i madh nëse ndodh e kundërta."
Deklarata e tij gjeti mbështetjen e një tjetër ish-konkurrenti të DWTS, Valer Kolnikaj i cili e ka ironizuar fitoren e Albëries dhe ish-konkurrentit tjetër Xhani Shqerra i cili e ka cilësuar këtë një "gabim të pafalshëm". Mbështetje Irena ka patur edhe Dorina Mema, e cila në faqen e FB të juristes dhe blogeres së njohur shkruan: "Ti ishe surpriza dhe ylli i këtij konkursi.”
Në faqen e saj në Facebook, Aulona Musta, ish-finaliste në DWTS shpreh habi se si Irena u skualifikua nga gara. Statusi i saj në Facebook thotë: "Më mirë mos ta kishin vënë fare klipin me kërcimet e Irena Kitës dhe Sardit se duket qesharake që çifti që kërcente më bukur të eleminohet i pari. Irena ka qenë me të vërtetë magjike dhe tejet profesionale çdo javë, në çdo kërcim dhe më erdhi vërtetë keq që u largua e para, se për të fituar dihet që nuk do fitonte.”
Çifti Irena Kita-DJ Sardi u skualifikuan ndër të parët gjatë finales dhe ky eleminim shkaktoi habi dhe zemërim tek qindra fansa dhe personazhe të njohur të cilët ndanin të njëjtin mendim se ky ishte çifti me performancat më të mira dhe se juristja, një adhuruese e fitness, nuk kishte asnjë dallim nga balerinët.
Çmimin e parë në "Dance with me 2" e fitoi çifti Albërie Hadërgjonaj-Veseli. Për t'u ndjekur në vend të dytë nga një tjetër çift i fortë në konkurrim siç ishte Roza Lati-Stine.