Ditën e sotme, këngëtarja me famë ndërkombëtare Jessie J do të interpretojë në Tiranë. Lajmi ka disa javë që është bërë publik, fillimisht nga kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet "Facebook"-ut njoftoi se Jessie J do të ishte e ftuar për Natën e Bardhë.
Koncerti në të cilin do të jetë këngëtarja, pritet të startojë sonte, rreth orës 19.00, në sheshin "Nënë Tereza". Informacionet rreth vizitës së saj në Tiranë janë shumë të pakta. Ne u përpoqëm të kontaktonim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, si dhe Kryeministrinë, por askush nuk dha detaje rreth axhendës së këngëtares në vendin tonë. Zyrat për Marrëdhënien me Publikun pohuan se nuk kishin informacion rreth kësaj vizite, duke e lënë kështu tërësisht në mister vizitën e 26-vjeçares.
Deri më tani, mbetet një enigmë se ku do të qëndrojë Jesie J, a do të ketë një intervistë të sajën për mediat shqiptare, dhe, më e rëndësishmja, sa është paguar diva e muzikës ndërkombëtare për të performuar gjatë Natës së Bardhë në Tiranë. Ende e paqartë mbetet dhe lista e hiteve që këngëtarja do të këndojë për publikun në sheshin "Nënë Tereza".
Më herët është folur se këngëtarja britanike e kishte pranuar me dëshirë ftesën për të qënë këtu në festën e 70-vjetorit të Çlirimit dhe se do të këndonte pa pagesë, por ky lajm nuk është konfirmuar nga askush deri më tani. Ajo që është e qartë është se mbërritja e saj në Tiranë ka qënë nismë e qeverisë. Kryeministri Rama ishte i pari që pohoi thashethemet për performancën e Jessie J në Tiranë. Më pas edhe vetë krijuesja e hitit "Money" e pohoi këtë lajm. Këngëtarja shkroi në "Facebook" se ajo do të vinte në Tiranë për të festuar 70-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, duke performuar 'live' në një super koncert pa bileta, në Tiranë më 29 nëntor.
Jessie J numëron shumë fansa edhe në vendin tonë, dhe kjo është vënë re dukshëm edhe nga entuziasmi i shdaqur në rrjetet sociale, pas publikimit të lajmit.
ARTISTËT E TJERË
Veçmas britanikes Jessie J, në skenë do të performojnë disa prej artistëve më të mirë shqiptarë. Ndër ta është Elhaida Dani, këngëtarja shqiptare, e cila po bën karrierë edhe në skenat ndërkombëtare. Fituesja e vjetshme e "The Voice of Italy" thotë se është e ekzaltuar për ardhjen e këngëtares së njohur në Tiranë. Elhaida do të këndojë disa këngë dhe do të ndajë kështu skenën me këngëtares britanike, që vjen për herë të parë në Shqipëri.
Një tjetër artistë që do të ngjitet në skenë mbrëmjen e sotme është dhe Alban Skënderaj. Pasi ka mbyllur me sukses tri netët e koncertit të tij, Albani ka pranuar ftesën për të qënë në skenë, në mbështetje të britanikes. Ai do të interpretojë disa këngë të zgjedhura nga repertori i tij.
FESTA NË TIRANË
Festohet 70-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, që prej vitesh njihet dhe si Nata e Bardhë. Para disa vitesh ishte ish-kryebashkiaku Rama që solli traditën e kësaj feste në Tiranë dhe jo vetëm. Përgjatë gjithë mbrëmjes së sotme do të ketë aktivitete kulturore për të gjitha grupmoshat. Fëmijët do të kenë këndin e tyre, ku do të mund të shikojnë shfaqje të ndryshme. Nga ana tjetër ish-Blloku do të shndërrohet në vendin më të dashur për të gjithë adhuruesit e rrokut. Festa do të kulmojë me koncertin e orës 19:000 në sheshin "Nënë Tereza", ku do të performojë edhe këngëtarja e famshme Jessie J.
Burimi: Suplementi Bluetooth
#showbiz