
Ti je njëzetë e diçka vjeç, shto ose hiq disa vite. Sapo ke mbaruar gjimnazin, ke nisur fakultetin, apo je diplomuar. Punon në një dyqan, në një call center apo në një lokal. Cilido nga këta njerëz të jesh, mund t'ju lidhë diçka e përbashkët: Ju duket se po çoni jetën dëm.
Në një fazë kaq të hershme të jetës adulte shumë prej nesh futen në rrethin vicioz të rutinës dhe në dukje është e vështirë t’i shpëtosh. Mosha e brishtë kombinuar me mundësitë e pakta rezultojnë në zgjedhje jo ideale, e ndoshta krejt të gabuara. Si të mos ndihesh se po çon jetën dëm kur je një student mesatar në shkollë, bën një punë “mediokre” dhe s’sheh asnjë lloj drite në horizont për të ardhmen që pretendon për veten.
Si fillim, kuptoni se kjo është thjesht një fazë në jetën tuaj dhe fazat janë kalimtare. Ky qëndrim optimist e bën më të lehtë ndjekien e strategjisë, le ta quajmë, që do t’ju rekomandoj më poshtë.
Hidhni një sy rrotull jetës suaj dhe identifikoni gjërat për të cilat ia vlen të jetosh. Marrëdhënia me prindërit, miqtë apo me të dashurin, privilegji që të është dhënë për të studiuar, fakti që fiton ca lekë vetë, çatia mbi kokë e pjata me ushqim. Jini mirënjohës për këto në radhë të parë.
Më pas, vërini një emër pasioneve dhe interesave që ju bëjnë të lumtur. E zëmë se keni dorë për të pikturuar, apo ju jepet për të shkruar. Filloni dhe bëni vend në ditën tuaj për t’u marrë me pasionet tuaja. Jini të qëndrueshëm dhe të vullnetshëm. Njerëzit më të zotë e më të suksesshëm në botë janë aty ku janë ngaqë punuan fort për ç’donin të arrinin.

Filloni të thoni po. Thoni po për mundësitë e reja, ftesat për të dalë. Dilni nga zona juaj e komfortit dhe bëni gjëra që s’i keni bërë më parë. Shkoni për hiking, organizoni një festë, filloni të gatuani, ecni çdo mëngjes, pini kafe vetëm. Bëni atë që ju frikëson dhe do të rriteni si njeri. Do të njihni njerëz të rinj, të rëndësishëm ose jo, që do t'ju hapin mendjen dhe dyer për të ecur në karrierë. Të thoni po është investimi me kthim më të lartë dhe rrezik më të ulët.
Gjithashtu, ide e mirë është të inkorporoni në jetën tuaj veset e atyre më të zotët se ju. Siç ua shpjegova në këtë artikull të mëhershëm, një orë në ditë dedikojani vetes. Meditoni për 10 minuta në ditë, lexoni për 20 minuta dhe gjysmë ore punoni intensivisht për diçka që doni të arrini si për shembull pasionet që përmendëm më lart.
Zgjidhni të jeni optimistë. Kur isha diku tek 13 vjeçe, u sëmura rëndë dhe përfundova në spital. Temperaturë prag 41, infeksion i rëndë dhe një grusht me ilaçe çdo vakt. Asokohe, për të më motivuar, im at më tha diçka që mbeti me mua dhe e ndjek sot e kësaj dite në çdo fushë të jetës: “Që të bëhesh më mirë, duhet të besosh se do të bëhesh më mirë.”