Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë u rrit në më shumë se 33,000 të dielën, ndërkohë që Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri përfundimtar mund të dyfishohet.
Zyrtarët dhe mjekët thanë se 29,605 njerëz kishin vdekur në Turqi dhe 3,574 në Siri, duke e çuar totalin e konfirmuar në 33,179, raporton Agence France-Presse.
Ministri i Mjedisit në Turqi, Murat Kurum, tha se bazuar në një vlerësim fillestar të më shumë se 170,000 ndërtesave, 24,921 në të gjithë rajonin janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Autoritetet turke kanë lëshuar më shumë se 100 urdhër-arreste për ndërtesat e shembura. Media shtetërore raportoi se të paktën 12 persona ishin në paraburgim, duke përfshirë kontraktorë, arkitektë dhe inxhinierë që kanë pasur lidhje me disa prej dhjetëra mijëra ndërtesave të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë pas tërmeteve të së hënës me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë.
Udhëheqësit e opozitës kanë akuzuar prej kohësh qeverinë e Erdoganit për moszbatimin e rregulloreve të ndërtimit pas tërmetit të Izmit të vitit 1999, për të siguruar që blloqet e apartamenteve dhe zyrave të ishin më rezistente ndaj tërmeteve.
Disa kritikë po sugjerojnë se arrestimet janë një përpjekje për të larguar fajin për katastrofën, pasi ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht se shumë ndërtesa të reja në Turqi ishin të pasigurta. BBC raporton se politikat e qeverisë lejuan kontraktorët që nuk respektonin rregulloret e ndërtimit, duke përfshirë zonat e prirura për t’u prekur nga tërmeti.
Presidenti ka akuzuar kritikët e tij se gënjejnë dhe në komentet e deritanishme duket se fajëson fatin për fatkeqësinë, duke thënë se katastrofa të tilla "kanë ndodhur gjithmonë. Ai është zotuar të fillojë rindërtimin brenda disa javëve.