
Gwyneth Paltrow pohon se iu hoq një rol në një film për shkak të vëmendjes së madhe mediatike që rrethoi divorcin e saj.
Gjatë një interviste në podkastin “Good Hang”, teksa fliste për filmin e saj më të ri, Gwyneth Paltrow, u kthye pas në kohë dhe tregoi se ndarja nga Chris Martin në vitin 2014 ndikoi jo pak në karrierën e saj.
Çifti mori gjithë vëmendjen pasi njoftoi ndarjen, pas më shumë se dhjetë vitesh martesë në të cilën patën dy fëmijë.

“Në radhë të parë jemi prindër të dy fëmijëve tanë të mrekullueshëm dhe kërkojmë që hapësira dhe privatësia jonë dhe e tyre të respektohen në këtë kohë të vështirë. Ne gjithmonë e kemi jetuar marrëdhënien tonë në mënyrë private dhe shpresojmë që, ndërsa ndahemi me respekt të plotë ndaj njëri-tjetrit dhe bashkëprindërojmë, të mund të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë.”
Gwyneth Paltrow, u shpreh se pak përpara se të flisnin publikisht mbi divorcin, ajo kishte rënë dakord të ishte pjesë e një filmi. Por kjo nuk ndodhi kurrë.
“Në një moment duhej të luaja në një film, por kjo ndodhi menjëherë pas asaj që u quajt ‘ndarja pa konflikte’ me Chris-in dhe pati shumë reagime të ashpra në media.”
Edhe pse Paltrow nuk dha më shumë detaje rreth filmit apo kompanisë së përfshirë, ishte e qartë se situata e kishte zhgënjyer.
“Kjo ishte fantastike, sepse po divorcohesha dhe pastaj u pushova nga puna, ishte vërtet e mrekullueshme,” tha ajo me ironi.
Pas kaq shumë vitesh, ajo mendon se mënyra se si ata zgjodhën ta bënin publik lajmin e ndarjes u keqkuptua nga publiku. Ata u shprehën se dëshironin të shmangnin një divorc të hidhur, duke shpjeguar se gjithë gjëja ishte e menduar mirë, por e gjitha kjo nuk u kuptua si duhet.

“Nëse ke përjetuar një divorc shumë të shëmtuar, ose prindërit e tu kanë kaluar një të tillë, dhe pastaj dëgjon këtë ide se nuk është e nevojshme të bëhet në atë mënyrë, mendoj se mesazhi i nënkuptuar është: ‘Ah dreq, ata po thonë që unë bëra diçka gabim,’ gjë që sigurisht nuk ishte qëllimi ynë,” tha ajo.
Gwyneth Paltrow dhe Chris Martin vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie shumë të mira që pas divorcit.
Në vitin 2019, ajo zbuloi se këngëtari i Coldplay kishte udhëtuar me të dhe bashkëshortin e saj, Brad Falchuk, gjatë muajit të mjaltit, së bashku me fëmijët e tyre.


