Në një intervistë me Zane Lowe në Apple Music për “At Home With”, këngëtarja 51-vjeçare tha se zbuloi se kishte disleksi kur djemtë e saj – Kingston, 14 vjeç, Zuma, 12 vjeç, dhe Apollo, 6, të gjithë nga marrëdhënia me ish-bashkëshortin Gavin Rossdale – patën probleme me leximin.
"Një gjë që kam zbuluar duke pasur fëmijë është se kam disleksi. Ndiej se shumë nga problemet që kam pasur apo edhe vendimet që kam marrë për veten time rrjedhin nga kjo. Padyshim që është gjenetike,” tha ajo. “Por tani ata kanë shumë përfitime. Kanë mësues dhe shkolla të mrekullushme dhe nuk kanë turp. Ata e kuptojnë që truri i tyre funksionon në një mënyrë tjetër. Te të gjithë njerëzit truri funksionon ndryshe.”
Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit dhe ndikon në aftësinë për të lexuar, shqiptuar, shkruar dhe folur. Simptomat janë të ndryshme me moshën dhe ashpërsia e tyre mund të ndryshojë gjithashtu.
Gwen u rikthye te fëmijëria e saj dhe vështirësia në shkollë:
"Unë isha një vajzë e mirë. Nuk bëja gjëra të këqija. Ishte vërtet shumë e vështirë për mua të funksionoja në atë kuti katrore të shkollës ku të gjithë supozohej të ishin mirëkuptues. Truri im nuk funksiononte ashtu; akoma nuk funksionon. Por funksionon në mënyra të tjera që ndoshta është dhuratë, të cilën njerëzit e tjerë nuk mund ta kenë.”
Ajo u shpreh se muzika e ndihmoi jashtëzakonisht shumë.
Në një podcast për Chicks in the Office në qershor të një viti më parë, aktorja Bella Thorne, rrëfeu se “mësoi të lexonte përmes skenarëve të ndryshëm” dhe u përmirësua me numrat duke numëruar paratë e të atit. Ajo vuante nga disleksia prandaj edhe kishte vështirësi në shkollë. “Më kujtohet kur fillova klasë e parë dhe nuk mund të lexoja si fëmijët e tjerë,” tha ajo. “Truri im ngatërronte ‘B’ me ‘D’, apo ‘M’ me ‘W’. Disleksia është e ndryshme te njerëz të ndryshëm,” tha Bella.
Në vitin 2015, edhe Jennifer Aniston foli hapur për problemet me disleksinë. "E vetmja arsye që e dija që kisha disleksi, ishte se shkova të bëja një vizitë për të marrë syze. Më bënë analiza të njëpasnjëshme dhe e zbuluan që vuaja nga ky çrregullim," u shpreh ajo. "Por, para se ta dija, kujtoja se thjesht nuk isha e zgjuar. Se nuk mund të arrija asgjë. Kur bëra zbulimin e madh, u ndjeva sikur gjithë traumat, tragjeditë dhe dramat e fëmijërisë u zgjidhën."
Së fundmi, disleksia u vendos në qendër të vëmendjes nëpër rrjete sociale pas rastit të një prej konkurrentëve të “Për’Puthen”.
Artikuj të rekomanduar: