Të shkretat vetulla nuk zunë njëherë rehat. Nga moda e “fijes së perit” e deri tek vetullat e trasha të Cara Delvigne evolucioni i tyre ka qenë një histori më vete. Por mesa duket shkenca ka arritur të përcaktojë formën perfekte të vetullës bazuar në anatominë e fytyrës.
Kështu që përpara se të merrni piskatoren në dorë, apo të vraponi për tek estetisti hidhini një sy kësaj guide.
Fytyrë e rrumbullakët
'Nëse keni një fytyrë të rrumbullakët, qëndroni larg nga vetullat e lakuara, pasi ato do ta bëjnë fytyrën tuaj të duket më e madhe. Në vend të kësaj zgjidhni një formë më këndore për të cilën mund t’ju vijë në ndihmë edhe lapsi.
Fytyrë e gjatë
Në rastin e fytyrave të gjata vetullat duhet të jenë më të shkurtra pasi kështu balancohen më mirë tiparet.
Fytyrë katrore
Vetullat e harkuara rekomandohen në rastin e një fytyre katrore. Kjo e zbeh disi anatominë e mprehtë që kjo lloj fytyrë ka. Make-up artistët rekomandojnë edhe përdorimin e konturit.
Fytyrë ovale
E mira do të ishte që në rastin e një fytyre ovale, vetullat të ishin këndore. Simetria e tyre është një tjetër komponent shumë i rëndësishëm i cili nuk duhet anashkaluar.
Fytyra në formë zemre
“Për fytyrat në formë zemre është shumë e rëndësishme që vetullat të mos jenë shumë të theksuara. Format sa më natyrale janë të këshillueshme në këtë rast,” thotë për DailyMail Jamie Long, specialist i stilimit të vetullave.
Fytyra trekëndore
Nëse keni një fytyrë e cila ngjan me prerjen e diamantit atëherë specialistët do t’ju këshillonin vetulla të shkurtra dhe ovale. Kjo për të sfumuar disi prerjet e shumta që kjo fytyrë ka në anatominë e saj .