
Një histori që lindi me njerëzimin: Dikush që s’ka pasur lidhje më parë me kinematografinë bën një film. Veteranët e kinematografisë e quajnë sharlatan, të paaftë, injorant. Publiku ndjek gojëhapur të dy palët.
I tillë është rasti i Alfred Trebickës i cili tha ekzaktësisht këto fjalë për kineastët dhe filmat e rinj shqip: “Unë si profesionist do t’i quaja sharlatanë, këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja. Edhe trumpetojnë, kanë gjetur disa mjete financiare... Ata e dinë, s’më intereson fare kjo punë.
“Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi, thonë ‘unë jam kineast.’ Fjala kineast është fjalë shumë e madhe,” shtoi Trebicka. “Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë unë do bëj film. Bëjnë skenarin vetë, bëjnë regjinë vetë, bëjnë dhe rolet vetë. Dhe vetëshpallen pastaj, ‘unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun.’ Ka kapur tregun ky, ky s’e di ç’do tregu. Cilin treg? Për cilin treg flasin këta?”
Bukur. Trebicka nuk përmendi emra, por të gjithë mund të hamendësojmë saktë me kë e ka. Një prej këtyre “sharlatanëve,” Ermal Mamaqi, iu përgjigj deklaratës 33-ditore me disa postime në Story që godasin larg e larg, por fiks aty ku duhet.
Dje, në episodin e parë të sezonit të ri të “Portokallisë,” në një nga skeçet imitohet “Shqipëria Live” i cili në emisionin e humorit quhet “Kultura Live” dhe moderohet nga një version i Dojna Memës. Në një lidhje live, Frederik Tërbaçi (qartazi Alfred Trebicka) ndërpret bisedën. Tre nga pesë rolet e këtij skeçi i luan Rezart Veleshnja. Tani, Ermali postoi në Instagram Stories imitimin e Alfred Trebickës ku thotë se filmat që prodhohen sot s’i mban mend njeri, ndërsa filmat e dikurshëm i mbajnë mend deri në Australi. Le të themi që Trebicka nuk portretizohet mirë këtu.
“Je sharlatan,” i drejtohet Ermali me humor Veleshnjës, si referencë ndaj asaj që tha Trebicka për regjisorët e rinj. Pas suksesit dhe pëlqimit të “I love Tropoja” nga publiku, natyrisht Mamaqi ndihet fitimtar kundrejt Trebickës dhe papritur dje, i erdhi uji në mulli dhe u hakmorr.