
Plot 36 100 maturantë janë regjistruar në sistem. Ata do t’u nënshtrohen katër provimeve, sipas kurrikulës së re, të cilën e shpjegoi për Top Channel Rezarta Vrapi, drejtoreshë e Agjencisë Kombtare të Provimeve.
“Ne do të kërkojmë nga maturantët jo memorizim, por me njohuritë që ata kanë çfarë do arrijnë të bëjnë në situata të caktuara që i kemi në teste. Në lidhje me gjuhën shqipe dhe letërsinë, testi do të ketë disa ndryshime të diktuara nga kurrikula e re. Pra, testi do të jetë i ndarë në dy pjesë, në njërën do të vlerësohen për kompetencat që kanë në gjuhën shqipe dhe në tjetrën për kompetencat në fushën e letërsisë,” thotë Vrapi.
Sidoqoftë, koha në dispozicion nuk do të ndryshojë. Maturantët do të kenë dy orë e gjysmë kohë për të plotësuar testin.
Këtë vit, maturantët do të testohen vetëm në një lëndë me zgjedhje, por përmbajtja do të jetë më e thelluar se më parë. Për shembull, nëse dikush jep provim kiminë, do të testohet për kimi bërthamë dhe për kimi të thelluar.
“Tezat tashmë do të jenë me 60 pikë nga 50 që kanë qenë dhe kjo shtesë është bërë për të kontrolluar shumë më mirë atë çka maturantët zotërojnë në fund të përfundimit të arsimit të mesëm,” shpjegon drejtoresha e AKP-së.
Provimet e maturës nisin më 7 qershor dhe përfundojnë më 24 qershor.
Burimi: Top Channel