
Pas disa javësh bashkëjetesë, puthjesh, lotësh dhe dramash të zakonshme për formatin, sezoni i 7-të i Love Island USA përfundoi më 13 korrik me një finale që la ndjekësit si të prekur, ashtu edhe të përçarë.
Finalja dhe rezultatet
Fitues u shpallën Amaya dhe Bryan, pasi morën numrin më të madh të votave nga publiku amerikan. Në vend të dytë u renditën Nic dhe Olandria, në vend të tretë Huda dhe Chris dhe në vend të katërt Iris dhe Pepe.
Në një kthesë jo shumë të zakonshme për finalet e këtij formati, Huda dhe Chris u ndanë para shpalljes së fituesve, por qëndruan miq dhe përfunduan eksperiencën me fjalë mirënjohjeje për njëri-tjetrin, duke hyrë në histori si çifti i parë që ndahet në finale dhe gjithsesi zë vend në top 3.
Pas shpalljes së çiftit fitues, prezantuesja Ariana Madix ofroi dy zarfa, një me 100,000 dollarë dhe një me 0 dollarë, testi klasik ku secili duhet të zgjedhë njërin zarf dhe për të parë nëse personi që gjen 100,000 dollarët do t'i ndajë ato ose jo me partnerin.
Bryan i la Amaya-s mundësinë të zgjedhë e para. Ajo mori zarfin bosh, ndërsa Bryan gjeti shumën e plotë. Pa hezitim, ai vendosi ta ndajë fitimin me Amayan. Kaq për spektaklin. Tani për realitetin.
“Amaya e meritoi. Bryan pati fat.”; “Amaya ishte zemra e këtij sezoni. Bryan ishte... i pranishëm,” ishin mendimet më të shumta për fitoren e këtij sezoni.
Amaya Espinal, një infermiere 25-vjeçare, hyri në vilë si një grua emocionale, impulsive, e ndjeshme dhe shpeshherë e keqkuptuar. U lidh me Bryan relativisht vonë dhe menjëherë krijuan një lidhje që për shumëkënd ishte e sinqertë, por për disa të tjerë, vetëm për interes nga ana e Bryan.
Bryan, një 28-vjeçar i qetë, nuk ngjalli të njëjtën empati. Ndonëse e trajtoi Amaya-n me respekt, për shumë fansa, ai “nuk dha aq sa ajo” dhe thjesht përfitoi nga prezenca e saj e fortë në ekran.
Reagimet kanë qenë të shumta në rrjetet sociale. Në X, komentet më të përsëritura për Bryan shprehnin se ai ishte tejet pasiv dhe Amaya bëri gjithë punën që i çoi drejt fitores.
Nga ana tjetër, pati edhe shumë që fitoren e panë si të ndershme. Sepse, ndoshta për herë të parë në këtë format, një grua që ishte “e tepërt” për të tjerët fitoi.
View this post on Instagram
Amaya, gjatë fjalimit të fundit, tha:
“Ky është një mesazh për të gjithë ata që ndihen të keqkuptuar: mos u zbutni për askënd. Do vijë dikush që do t’ju dojë për atë që jeni.”
Bryan, nga ana tjetër, i ktheu fjalët me një ndjeshmëri më të matur:
“Ti je paqja ime në këtë çmenduri. Mendova që do të isha strehë për ty, por ti dole të ishe strehë për mua.”
Publiku ishte në lot. Të emocionuar. Edhe skeptikët e Bryan pranuan që, të paktën për atë moment, ai ia doli mirë mbanë.