
Largimi nga Shqipëria është ëndrra e shumëkujt. Nisi në vitet ’90 me hapjen e kufijve dhe s’ka përfunduar akoma. Dëshira e shqiptarëve për të ikur për një jetë më të mirë, për të ardhura më shumë mbizotëron ende, por të dëshiruarit nga të vepruarit duket se është larg. Që prej vitit 2007, gjithmonë e më pak shqiptarë emigrojnë, e gjithmonë e më shumë po kthehen në Atdhe, pavarësisht nga vendi.
Kudo të kenë shkuar dhe për cilëndo arsye, historitë e ikjes dhe ditëve të para në emigrim përmblidhen me një fjalë: Vuajtje. Ky tipar vihet re qartazi në letrat e dërguara mbrëmë në temën e hapur në faqen e Revistës Anabel në Facebook.
Për shkak të afërsisë gjeografike, destinacioni më i zgjedhur është Greqia. Rrugëtimi nga malet është gjëja më e vështirë që shumë emigrantë kanë kaluar në jetë:

“[...]Morëm rrugën e Greqisë kur unë isha katër vjeçe, ndërsa vëllai tre. U nisëm prej maleve. Më është ngulitur në mendje errësira dhe dy mushka që njerëzit i përdorin për të mbajtur çantat. Tek njëra nga mushkat isha unë me vëllain. E mbaja fort para duarve që të mos binte dhe nga ana tjetër më mbante nga krahu babi. Në grup ishin pesë fëmijë dhe një i sapolindur. Në një moment, dëgjuam të shtëna armësh dhe grupi u tremb. Kush mundi vrapoi sepse mund të ishin ushtarët grekë ata që qëlluan. Mbaj mend që qaja dhe mami më mbyllte gojën me zor duke më thënë pusho se do të na gjejnë e do të na vrasin babin. Nuk e harroj kurrë. Shyqyr, arritëm shëndoshë e mirë[...] Më mirë rri në Shqipëri e ha bukë dhe kripë sesa të rri me fikën se do më vrasin burrin apo fëmijën.”
Në një tjetër këndvështrim të emigrimit me fëmijë vjen nga goja e një gruaje që iu drejtua tokës së huaj me 400 euro në xhep dhe vajzën e vogël në krahë:

“Pas shumë vuajtjesh në Shqipëri, një mike e imja që jeton jashtë, më këshilloi të merrja vajzën e të ikja. U mora borxh kushërinjve dhe shoqeve, preva biletat dhe ika pa i thënë askujt. Shoqja ime që ishte me familjen atje më dha vetëm një adresë të zyrave të emigracionit, asgjë më shumë. Kisha vetëm 400 euro në xhep dhe një fëmijë të vogël. I lutesha Zotit pafund të më ndihmonte. Ishte tetor, ftohtë acar kur zbrita në atë aeroport. Gjuhë s’dija, vetëm anglisht. Marr një taksi, i jap adresën dhe më çon fiks tek dera. Kishte shumë njerëz. S’dija ç’të bëja, s’njihja asnjeri, shoqja s’më hapte telefonin. Vetëm qaja, isha në mes të katër rrugëve në dimër me një fëmijë. Kurrë s’do t’i harroj ato ditë. U regjistrova në një azil me një familje shqiptare që mu afruan dhe më ndihmuan. Përfunduam në një spital. Dhjetë ditë rresht duke fjetur në tokë. Kur shihja gocën që flinte stolave mallkoja veten. Më në fund më gjetën strehë, e pastaj nisën procedurat. Isha e vetmja shqiptare që mori letrat me gjyqin e parë[...]”
Një histori suksesi, por edhe vuajtjeje të heshtur vjen nga motra e një emigranti që guxoi të merrte gomonen për Itali vetëm 15 vjeç:

“Unë e gjeta shesh me lule, por ai që e vuajti shumë ishte vëllai im. U nis me gomone nga Vlora deri në Bari dhe atje do të merrte trenin për Pescara. Kur zbret në Pescara, fut duart në xhepa për të marrë numrat e kushërinjve që do ta strehonin. Numrat i kishin rënë në tren se e kishte zënë gjumi. Ishte 15 vjeç, s’dinte nga të shkonte, gjuhën s’e merrte vesh. Aty e kap policia dhe e mbajnë në kamp. Ndenjëm tre muaj pa marrë vesh gjë, a ishte gjallë a jo. Shpirti na e di sa keq e kemi përjetuar. Pas tre muajsh na vjen një letër që s’patëm zemër ta hapnim. Motra e madhe mori guximin dhe shkruhej: ‘Familja ime e dashur, jam Andi. Erdha shëndoshë e mirë në Itali. Për mua mos kini merak.’ Ajo ditë ka qenë më e lumtura për mua dhe familjen time. Edhe pse vuajti shumë, më në fund na bashkoi të gjithëve në Itali.”
Dëshira për të përmirësuar jetën del në pah në çdo raport për emigracionin që të zënë sytë. Thënë kjo, në kontekstin e pagave më të larta, punëve më të mira, të ardhurave shtesë më të mundshme. Në paepërsinë për të arritur më shumë, një i ri, emigrant në Gjermani u bë pjesë e një rrjeti shpërndarës droge:

“Shkova në një qytet të vogël që quhet Neumunster, afër Hamburgut. Kisha 130 euro me vete për të ngrënë. Mora vesh që kanaçet shieshin për 15 cent copa dhe fillova t’i mblidhja nëpër qendra tregtare. Për një kohë të shkurtër, ashtu mbijetova. Flija në stacione trenash. Takova një kosovar që punonte me lëndë narkotike. Ai më ndihmoi dhe fillova të punoja për të. Po më ecte shumë mirë, por më jepte vetëm 5 euro për copë. Fillova të mbledh goxha lekë dhe më tha të punoja për vete, të blija mallin tim dhe të shpërngulesha në Hamburg. Shkova në Hamburg dhe në stacionin e trenit takoj një turk përdorues. I dhashë një kokërr falas dhe ai filloi të më sillte klientë. Kështu fillova punën dhe po më ecte shumë mirë. Fillova të kërkoja gjithmonë e më shumë dhe rrjedhimisht, pas tre vitesh rashë në burg në të cilin jam dhe sot prej gjashtë vitesh. Nuk është kjo rruga e duhur. Ka rrugë të tjera boll.”
Një e re e fejuar me një emigrant dhe shpërngulur në Itali në saj të fejesës, nuk vuajti nga vendi i huaj, por nga personi që kishte në krah:

“Isha 18 vjeçe kur u fejova. Pas një viti fejesë, erdhi koha të largohesha nga Shqipëria. S’e kisha idenë çfarë më priste e çfarë duhet të përjetoja. Natën ma bëri ditë, më tha që jetonte vetëm me vëllain. Vëllain s’e kisha problem, por më vonë pashë që duhet ta ndaja shtëpinë me katër burra, të laja, të gatuaja, ndryshe më përzinte. Nuk dilnim ndonjëherë bashkë, më mbante mbyllur si zogu në kafaz në një shtëpi që s’ishte as e tija. Nuk kishte ditë që s’dëgjoja fyerje dhe tallje. Ishte aq keq gjendja, sa dhe shokët e tij filluan të më mbronin se unë nuk kisha guxim.
Nuk doja të rrija më në këtë kurbet të poshtër, por nga ana tjetër nuk njihja njeri dhe nuk dija gjuhën. Një ditë u sëmura shumë keq dhe më shkoi temperatura thuajse 40. Isha aq keq, sa nuk shihja nga sytë, më zinin ethet çdo pesë minuta. Dridhesha e tëra dhe nuk më ndihmonte kush. Për spital as që bëhej fjalë. Hynin e dilnin në shtëpi dhe nuk pyeste njeri. Burri as e vriste mendjen se e kishte mendjen te puna. Vetëm puna të ishte në rregull, pa unë të vdisja.
Dita ditës, trupi më fryhej, nuk shikoja nga sytë, flisja përçart. Një ditë vjen një shok i tiji dhe më sheh në atë gjendje. Nuk duron dot dhe lajmëron një shqiptare dhe ja tregon të gjitha asaj. Ajo i thotë burrit tim që po se çove në spital do të lajmëroj policinë se po merr jetë njeriu në qafë.
Më çon te mjekët dhe ata s’më merrnin përsipër. Më thanë që kisha vetëm dy orë jetë në atë gjendje që kisha përfunduar. Mjekët u stresuan dhe burri e kuptoi që gjendja ishte serioze. Iu fut frika dhe iku e më la vetëm. U futa në operacion dhe kur dola s’më priste askush. Qaja me vete dhe i thoja Zotit pse më la të vija në këtë kurbet të mallkuar[...]”
Sado i vështirë të jetë fillimi, e sado armiqësor të jetë vendi pritës, shqiptarët nuk janë dorëzuar në asnjë rrethanë. Kanë qëndruar të fortë, guximtarë dhe të vendosur. Kërkonin një jetë më të mirë dhe bënë çmos deri sa e arritën.