
Labubu, një krijesë e vogël me veshë lepurushi, dhëmbë të theksuar dhe veshje të çuditshme, është kthyer në aksesorin më të paparashikuar të verës 2025. I varur në çanta Hermès, Louis Vuitton apo Bottega, kjo lodër e çuditshme ka rrëmbyer jo vetëm influencueset dhe VIP-at si Rihanna, Dua Lipa dhe Lisa nga Blackpink, por edhe gjithë gjeneratën Z.
Si u krijua Labubu?
Kukulla Labubu u krijua në vitin 2015 nga artisti hongkongas Kasing Lung. E frymëzuar nga mitologjia nordike, Labubu është pjesë e universit “The Monsters” dhe përfaqëson një personazh të mirë që shpesh gabon pa dashje. Kukullat vijnë në forma të ndryshme dhe të mbështjella me kostume në varësi të një tematike dhe shiten si “blind boxes”, pra ti nuk e di kurrë cilën do të marrësh derisa ta hapësh.
Pse janë bërë kaq të famshme?
Nostalgjia – Shumë nga blerësit e sotëm janë rritur me anime, lodra dhe personazhe të viteve ’90 dhe 2000. Tani, me më shumë të ardhura, ata rikthehen tek ato ndjesi të thjeshta dhe të lumtura përmes kukullave si Labubu.
Kultura e “kidult” – Brezat e rinj nuk kanë më frikë të përqafojnë fëmijërinë edhe si të rritur. Tregu i lodrave për të rritur është në bum.
Elementi i misterit – Kukullat vijnë të fshehura në kuti “surprizë”, duke krijuar ndjesinë e lojës me fat. Ndjenja e emocionit nga unboxing-u është si një dozë dopaminë.
A do të rritet vlera e tyre?
Shumë mund të shihen si investim, njësoj si kartat Pokémon apo Beanie Babies dikur. Një Labubu i rrallë është shitur për mbi 1,000 paund. Për më tepër, marka po zgjeron "universin" me produkte të reja si kapëse flokësh, mbështjellës për AirPods apo aksesorë telefoni.
Kështu që, herën tjetër kur të shohësh një kukull të vogël me dhëmbë të çuditshëm që rri varur në një çantë luksoze, ndoshta duhet të pyesësh veten "çfarë është më me vlerë – çanta, apo Labubu?".
Burimi: L'Officiel