
Një studim i publikuar në revistën shkencore “Sex Roles” ka zbuluar një lidhje të fortë midis ndarjes së punëve të shtëpisë dhe jetës seksuale në çiftet heteroseksuale. Sipas hulumtimit, kur gratë mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të përgjegjësive shtëpiake, ato përjetojnë një rënie të ndjeshme të dëshirës seksuale ndaj partnerit.
Kërkimi thekson se ulja e dëshirës nuk lidhet vetëm me lodhjen fizike. Bëhet fjalë për një ngarkesë mendore dhe emocionale, që gratë përjetojnë kur ndihen të vetme në përballimin e detyrave të përditshme si gatimi, pastrimi, kujdesi për fëmijët apo organizimi i jetës së përditshme. Kjo pabarazi perceptohet shpesh si mungesë mbështetjeje dhe vlerësimi nga partneri, çka çon në pakënaqësi emocionale dhe rritje të stresit.
Po ashtu, studimi tregon se ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë mund të krijojë zhgënjim, pakënaqësi dhe distancim emocional, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në intimitetin fizik. Tri faktorë, respektimi i ndërsjellë, mbështetja emocionale dhe ndarja e barabartë e përgjegjësive, kanë rol kyç për një jetë seksuale të sa më të mirë.
Zgjidhja? Barazi!
Autorët e studimit argumentojnë se ndarja më e drejtë e punëve në shtëpi mund të përmirësojë jo vetëm marrëdhënien në përgjithësi, por edhe intimitetin romantik dhe seksual. Kur partnerët ndajnë përgjegjësitë në mënyrë sa më të barabartë, krijohet një ndjenjë më e madhe partneriteti, barazie dhe afërsie, elementë që nxisin dëshirën seksuale në mënyrë të natyrshme.