As do denjojmë t’i japim ndonjë kuptim të thellë këtij artikulli. Thjesht na bëri përshtypje numri i këngëve shqiptare që titullohen “Ti amo” ose “Te amo” që s’kanë ndonjë dallim të madh nga njëra-tjetra.
Si fillim, le të testojmë hamendësimin tuaj.
Janë plot tetë nga shumë të tjera që presim të publikohen në të ardhmen. “Ti amo” mbahet mend kollaj, shërben si dedikim dhe kur kërkon një këngë me titull “Ti amo”, të dalin dhe gjithë të tjerat që rrisin shanset për t’u parë.
E freskët nga furra, ju shërbejmë “Ti amo” nga Xheni dhe Geni. Në video gjeni, Xhenin nëpër shkallë dhe mjekrën e Genit, që i hap telashe në aeroport.
Natyrshëm, “Ti amo” e momentit nga Luana, ku këndohen përafërsisht 250 fjalë në refren.
Anxhelo Koci stërmundohet t’i thotë “Ti amo” bukuroshes që ka qejf. Pasi i shmanget, në fund ia thotë ajo vetë e para.
“Ti amo” e Mozzik dhe Veysel është himni i atyre që dashurojnë paranë, qoftë euro, dollar apo franga.
Dy vite më parë, dyshja legjendare Crazy Girl dhe G-Bani u rikthyen me “Te amo.” Edhe nëse s’e dëgjoni këngën thjesht mbani mend që G-Bani tha “kombinoj me suksesin si birra me kikirikun” dhe ne e injoruam.
Orinda Huta është gjithashtu pjesë e kësaj liste me një këngë standarde vere, që s’mund të kishte tjetër titull veçse “Te amo.”
Adrian Gaxha ka një këngë të titulluar “Ti amo të dua,” por s’gjendet në YouTube.
Vin Veli gjithashtu publikoi “Te amo” vjet në verë, por për një arsye që mbetet mister, teksti është në spanjisht.
Kush arriti deri në fund të artikullit, përfiton këtë thesar.