Edhe pse ka dy urdhra mbrojtjeje, Merita Brama jeton çdo ditë me frikën se ish-bashkëshorti do ta vrasë.
Ajo është martuar 30 vjet më parë, por vetëm në korrik të këtij viti arriti të divorcohej nga burri që e dhunonte vazhdimisht. Pas ndarjes, Isuf Doçi i është betuar se nuk do të gjejë paqe pa e vrarë atë dhe fëmijët.

Merita Brama, thirrja e së cilës u bë publike të premten nga nisma “Thurje”, sot foli për mikrofonin e “Rudinës” duke u shprehur se tani s’ka asgjë për të humbur, kështu që e ka vendosur të luftojë për jetën e fëmijëve, të vetën dhe të të gjitha grave.
“Dje u vra Fildesi, nesër mund të dëgjoni emrin tim”, tha ajo, “Zgjohemi në mëngjes, kemi frikë të hapim derën se mos na vënë tritol. Kam frikë të dal tek dera, se nuk e di ç’më pret, mbaj gjithmonë një sëpatë. Unë jetoj me grila të mbyllura dhe derë të mbyllur. Unë prandaj fola, sepse s’kam ç’të humbas më. Dua vetëm të siguroj fëmijët.”
Edhe pse e tmerruar dhe pa mbrojtje, Merita ka vendosur të mos dorëzohet dhe mbi të gjitha, të mos heshtë. Ajo kujtoi si më parë besonte se gjërat do të ndryshonin, por në 30 vite ish-bashkëshorti jo vetëm nuk hoqi dorë nga dhuna, por më i dhunshëm u bë.
“Ka qenë i dhunshëm gjithmonë, por pasi lindën fëmijët njëri pas tjetrit, pata shpresën se do të ndryshonin gjërat, do të rriteshin fëmijët dhe si në shumë çifte të tjera, gjërat të përmirësoheshin.”
Prandaj, ajo u bën thirrje të gjitha grave të dhunuara shqiptare të mos heshtin, sepse asgjë e mirë nuk u vjen nga heshtja.
“U bëj thirrje grave si unë që të ngrihen, të bëhemi të gjitha bashkë dhe të mos i lejojmë të na vrasin.”
Me gjithë urdhrat e mbrojtjes, ish-bashkëshorti endet i lirë, ndërsa në polici janë të punësuar të afërmit e tij. Merita tregoi se kur shkon në polici për t’u kërkuar ndihmë, ata i përgjigjen se ai “është barbon” dhe se “nuk i bën dot gjë”.
Kurse realiteti është tjetër; Merita tregoi si ish-burri pas ndarjes i kishte zënë pritë, duke qëlluar 40 me levë, gati e la të vdekur.
“Kam kaluar tmerrin më të madh të jetës, më ka goditur 40 herë me levë”, kujton ajo, “Nuk e di si e gjeta forcën të shkoja tek ambulanca e Fushë Krujës, ku më ra të fikët. Nuk e di çfarë më bënë atje që të mbijetoja. Kur u zgjova, e gjeta veten tek spitali i traumës.”
Tani, frika më e madhe e Merita Bramës janë fëmijët dhe përsa kohë bashkëshorti fshihet dhe mbrohet nga të afërmit në polici, ata janë në rrezik.